Dibër, 29 maj 2014 – Krimi makabër në një fshat të Dibrës ka tronditur opinionin publik. Babai qëllon për vdekje vajzën beqare, kur zbulon se ajo ishte shtatzënë.
Doksan Dushku tha se vuri nderin në vend, duke ekzekutuar vajzën 21- vjeçare, Fatmirën. Ajo jetonte e vetme me katër meshkuj, babain dhe tre vëllezër. Nëna i kishte vdekur.
Por një lidhje dashurie i dha fund jetës së saj. Pas zbardhjes së vrasjes së 21-vjeçares Fatmira Dushku, mbetet mister emri i personit me të cilin vajza kishte lidhje intime dhe priste një fëmijë.
Nuk dihen rrethanat pse vajza nuk e kishte bërë publike këtë lidhje apo pse familjarët e saj nuk e kishin pikasur, ndonëse jetonin në një fshat të vogël.
Ka dyshime të forta që personi të jetë i njohur i familjes Dushku, i cili ka mundur të hyjë lirshëm në shtëpinë e tyre, duke arritur të ketë kontakte me vajzën e shtëpisë, raporton Panorama.
Pritet që hetimet të vazhdojnë më tej dhe të kryhen ekspertizat e nevojshme për të faktuar atësinë e fëmijës, që mbante në bark viktima Fatmira Dushku.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





