Brazil, 29 maj 2014 – Brazili fiton Kupën e Botës, Argjentina shkon deri në finale , ndërsa rruga e Spanjës kampione në fuqi por dhe e Gjermanisë që synon rikthimin te lavdia ndalet në gjysmëfinale. Kështu pretendon se do të ndodhë një studim i publikuar nga banka amerikane “Goldman Sachs”. Sipas analistëve të saj, kampionët në fuqi të Spanjës do të bien në gjysmëfinale përballë Argjentinës me 11-metërsha pasi do të barazojnë 1-1 në kohën e rregullt. Finalja do të jetë për Brazilin që do të ngrejë Kupën e 6-të të Kupës së Botës pas triumfit 3-1 në finalen me Argjentinën e Lionel Messit.

Studimi është realizuar në bazë të një modeli statitikor që projekton rezultatet e 64 ndeshjeve të Botërorit në bazë të precedentëve mes përfaqësueseve që bëjnë pjesë në këtë turne që nga viti 1960. Sipas “Goldman Sachs” Brazili ka 48.5 % mundësi për të triumfuar, Argjentina 14.1 %, ndërsa Gjermania me 11.4 % mundësi për të triumfuar lë pas Spanjën që ka vetëm 9.8 % mundësi për të përsëritur titullin.

Në Botërorin e kaluar të Afrikës së Jugut, analistët e “Goldman Sachs” përcaktuan Brazilin si favorit me 26.6% të shanseve ndërsa Spanja e Hollanda që rezultuan kampionë dhe nënkampione ishin vendosur në vendin e dytë dhe të tretë. Gjithashtu ata përcaktuan Gjermaninë në gjysmëfinale siç edhe ndodhi, ndërsa një tjetër parashikim i tyre që u konfirmua ishte ai i David Villas si kryegolashënues të turneut.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/