Durrës, 29 maj 2014 – Në kampin durrsak ka pllakosur qetësia dhe të gjithë po shijojnë pushimet verore, të cilat me sa duket do të jenë shumë të gjata. Nuk ka asnjë lëvizje apo zhvillim në lidhje me merkaton verore dhe gjithçka ka mbetur në kuadrin e bisedimeve.
Pritet ndërtimi i një skuadre të re, së cilës nuk do t’i mungojnë elementet aktuale. Presidenti Edmond Hasanbelliu dhe bashkëpunëtorët e tij janë vënë në lëvizje në drejtim të përforcimit të skuadrës, ndërkohë po piketohen lojtarët, për të nisur më pas bisedimet. Drejtuesit e Teutës nuk kanë njoftuar asnjë lëvizje në skuadër deri në këto momente, ndërsa konfirmohet se lojtarët e ardhur gjatë merkatos së janarit nuk do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Por, rikthimi në skuadër i lojtarëve të huazuar në skuadra të tjera, lë shumë pak hapësira për afrimin e futbollistëve të tjerë.
Pavarësisht disa largimeve, Teuta ka një kontingjent të mirë lojtarësh dhe nuk do të ishte shumë e vështirë për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, ndaj edhe drejtuesit nuk po nxitohen për afrimin e lojtarëve të tjerë.
Lojtarët që kanë përfunduar kontratën me Teutën, pritet të kenë një takim në ditët në vijim me presidentin Hasanbelliu, ku do të vendoset nëse do të qëndrojnë apo largohen. Në fakt, janë të shumtë lojtarët, të cilëve u ka përfunduar kontrata me klubin durrsak, sikurse janë të shumtë ata që nuk duan të largohen nga Teuta.
Në konfidencë, lojtarët shprehen se e konsiderojnë Teutën si skuadra ku mund të punohet qetësisht dhe në mënyrë profesionale, ndaj dhe kërkojnë shtyrje të kontratës.
Me shumë gjasa, muaji qershor do të jetë fluksi i punës për drejtuesit durrsakë, të cilët do të angazhohen për formatimin e skuadrës për sezonin 2014-2015. Pritet që Teuta të ketë synime madhore për edicionin e ri futbollistik dhe për këtë duhet të ndërtohet një skuadër me temperament dhe mentalitet fituesi
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





