Durrës, 29 maj 2014 – Pak ditë më parë policia antidrogë e Ekuadorit me ndihmën e informacionit të DEA-s amerikane kapi 89 kg kokainë puro me destinacion Portin e Durrësit.
Të dielën ishte rradha e financierëve italianë të kapnin një tjetër sasi kokaine ekuadorniane, që u bllokua në Portin e Xhoja Tauros transit për në Portin e Durrësit.
Në gjuhën teknike ky quhet transshipment nga anije gjigande kontejnermbajtëse (tipi supercarrier) në anije kontejnermbajtëse me përmasa modeste që teknikisht quhet “feeder”.
Financierët kapën 78 kilogramë kokainë puro (shumë të pastër). Droga ishte e fshehur në një kontejner, që vinte nga Ekuadori me ngarkesë të deklaruar miell për në Shqipëri. Çmimi me pakicë i kësaj kokaine në tregun italian do të shkonte në 16 milion euro.
Informacioni i financierëve italianë rezultoi i saktë pas kalimit në skaner të kontejnerit problematik. Më pas ky kontejner iu nënshtrua kontrollit fizik, gjatë të cilit u zbuluan 78 kg kokainë.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





