DURRËS, 28 maj 2014 – “Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “Plazh publik” 20 për qind të territorit të përgjithshëm të plazhit”, në prag të fillimit të sezonit turistik qeveria shqiptar nxori një vendim që synon përmirësimin e kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, si liqene, rezervuarë, lumenj e përrenj.
Kanë qenë ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto që propozuan vendimin e Këshillit të Ministrave për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore të datës 28 maj 2014.
Ky akt përcakton që për planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e sigurisë në plazhe, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë përgjegjëse disa ministri: e Transportit dhe Infrastrukturës (Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës); Punëve të Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit); Mbrojtjes (Roja Bregdetare); Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Kulturës; Zhvillimit Urban dhe Turizmit; Mjedisit; Shëndetësisë (Inspektorati në fushën e shëndetit); njësitë e qeverisjes vendore (bashki dhe komuna).
JA DETYRIMET E BASHKIVE DHE KOMUNAVE
Sipas Vendimit të 28 majit 2014, njësitë e qeverisjes vendore kanë si detyrim identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit; dhënien e autorizimit për plazhe, për argëtim e sporte ujore, të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë; dhënien e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve, zonave çlodhëse për përdorim publik, për argëtim e sporte ujore (poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin, kurse inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkon me përgjegjësi ky vendim; kontrollin dhe verifikimin e zbatimit të kushteve të sigurisë, të mirëmbajtjes dhe atyre shëndetësore/higjienike, të mbrojtjes mjedisore sipas kritereve të përcaktuara; heqjen e lejeve, në rastet kur qiramarrësi nuk përmbush kushtet e sigurisë dhe ato shëndetësore/higjienike; vënien e gjobave në zbatim të akteve ligjore në fuqi, në rastet kur ka shkelje të kushteve të sigurisë gjatë përdorimit të mjeteve lundruese motorike dhe atyre shëndetësore/higjienike; në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcaktojnë: zonat (vendet) e përdorimit të mjeteve lundruese çlodhëse, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen edhe korridoret e hyrjes dhe të daljes nga uji (det, liqen, rezervuar, lumë, përrua); distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete; oraret e përdorimit të tyre; vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese të tilla si: “KUJDES – ZONË KU NDALOHET PËRDORIMI I MJETEVE LUNDRUESE”; “KUJDES – ZONË E NDALUAR PËR TË NOTUAR” etj., të cilat të jenë në gjuhën shqipe dhe anglisht.
Njësitë e qeverisjes vendore duhet të përgatitin dhe të mbajnë një inventar për lejet e dhëna, datat e inspektimit për kontrollin e përmbushjes së kushteve dhe përcaktimin e qartë të vendndodhjes së veprimtarive të lejuara sipas këtij vendimi.
Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “Plazh publik” 20 për qind të territorit të përgjithshëm të plazhit. Plazhi publik të menaxhohet dhe të jetë në administrim të njësive të qeverisjes vendore. Shpërndarja për stacionet e plazhit publik dhe privat të bëhet në mënyrë proporcionale.
DETYRIMET E QIRAMARRËSVE
Ndërkohë subjektet e pajisura me leje për përdorimin e një plazhi në bregdet apo në ujëra të brendshme në thellësi të territorit kanë detyrimin e vendosjes, mirëmbajtjes dhe ruajtjes së kushteve higjienike dhe të sigurisë të caktuara në këtë vendim, si dhe kanë detyrë të ruajnë pastërtinë e mjedisit detar, si dhe ta mbrojnë atë nga ndotjet e dëmtimet me shpenzimet e tyre. Në rast të kundërt, leja hiqet nga njësitë e qeverisjes vendore apo organet e tjera shtetërore sipas kompetencave, në bazë të konstatimit të bërë nga organet e kontrollit.
Për shkeljet e kryera gjatë përdorimit të mjeteve lundruese me motor zbatohen sanksionet e parashikuara në ligjin nr. 8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





