DURRËS, 27 maj 2014 –  Policët shqiptarë dhe familjet e tyre që do të pushojnë në Plepa, do të ushqehen me levrek, oktapod, karkalec, aragostë të freskët nga Tirana.

Më 24 prill 2014 është zhvilluar një tender për plotësimin e nevojave të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Durrës me

2 638 kg peshk dhe fruta deti (598 kg kocë; 600 kg levrek; 600 kg merluc; 600 kg gjuhëz, 50 kg kallamar, 50 kg sepje, 35 kg karkalec, 35 kg skampi/gaforre norvegjeze, shkampi; 35 kg aragostë /astako, lemçe; 35 kg oktapod) me një fond limit prej 1 745 000 lekë ose me çmim mesatar 661.4 lekë/kg.

Është interesant fakti që në tender morën pjesë tri firma, dy nga Tirana dhe një nga Durrësi.

Operatori ekonomik bregdetar kishte ofruar një vlerë prej 1 734 570 lekë me një çmim mesatar 657.5 lekë/kg.

Por fituese doli një nga firmat kryeqytetase (tjetra ishte shkualifikuar), që ofroi 1 727 500 lekë me një çmim mesatar 654.8 lekë/kg.

Pa dyshim, firma nga Tirana peshkun dhe frutat e detit do t’i blejë ose në Durrës, ose në Shëngjin, Vlorë, Sarandë, Karavasta.

Gjithsesi, nuk dihet pse operatorit nga Durrësi i dilte më shtrenjtë peshku e frutat e detit se rivalit nga Tirana, që ka dhe shpenzime transporti, për më tepër, kur bëhet fjalë për peshk dhe fruta deti me çmim pakice që varion nga 700 lekë (koca) deri në 2 500 lekë (aragosta)!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/