· Stina e verës “stimulon” trafikun e fëmijëve dhe femrave në qytetet bregdetare dhe Tiranë, deklaron Elona Gjebrea, zëvendësministre e Punëve të Brendshme
DURRËS, 27 maj 2014 – Qyteti bregdetar është një nga zonat më të prekura për trafikimin e njerëzve, sidomos të fëmijëve dhe femrave, kjo është deklarata e znj. Elona Gjebrea, koordinatore kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe zëvendësministre e Punëve të Brendshme.
Sipas znj. Gjebrea, fëmijët janë shpesh viktima të familjeve të tyre, të cilat për shkak edhe të problemeve social-ekonomike dhunojnë të drejtat e tyre, duke i shfrytëzuar për lypje apo punë të tjera, me qëllim përfitimin financiar.
Zonat më të prekura nga kjo dukuri janë pikat kyçe të qytetit të Tiranës, Durrësit apo qyteteve të tjera të mëdha.
Koordinatorja e antitrafikut të njerëzve thotë se, për sa u përket pikave ku vërehet më së shumti kjo dukuri e dhimbshme, ato janë të tilla si semaforë, shëtitore kryesore, trotuare në rrugët kryesore etj.
Gjebrea vë në dukje se gjatë sezonit turistik, veprimtaria e shfrytëzimit të fëmijëve zgjerohet në qytet bregdetare, Sarandë, Durrës, Vlorë e vende të tjera turistike.
Nëse është ulur së tepërmi trafikimi për “mish të bardhë” nëpërmjet portit kryesor të vendit në Itali dhe vende të të tjera evropiane, në Durrës, Vlorë, Sarandë, Tiranë etj. shfaqet dukuria e tregtisë e seksit në stinën turistike.
Nr. 2 i Ministrisë së Punëve të Brendshme znj. Elona Gjebrea thotë se trafikimi i qenieve njerëzore është industri kriminale, e cila operon me rregullat e tregut, bazuar në kërkesë-ofertë, pra kërkesa për përfshirjen në industrinë e seksit apo për punë të detyruar vë në lëvizje personat apo grupet kriminale për të ofruar shërbime në këtë fushë.
Bota e krimit rekruton femra të reja, të cilat u përkasin grupmoshave nga 16-30 vjeç, të cilat nëpërmjet mashtrimit për martesë apo për punë, do të trafikohen për në vendet e destinacionit.
Gjebrea nxjerr në pah se kohët e fundit është vënë re një tendencë e re e mashtrimit të pjesshëm (vajzat pranojnë të prostituohen, por nuk u jepet informacion për kushtet ku do të punojnë).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





