Tiranë, 27 maj 2014 – Arrestohet një tjetër anëtar i trafikut të drogës me avion. Pas Sajmir Bajramit dhe Giorgio Riformatos, në pranga ka përfunduar Aurel Pupe, i cili akuzohet se ka paketuar lëndën narkotike që do të transportohej me avion drejt Italisë.
Policia arrestoi shtetasin Aurel Ylber Pupe, 24 vjeç nga Lushnja që pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor ka pranuar se ishte ai personi që ka paketuar lëndën narkotike në zonën e Myzeqesë. Kësisoj, sipas hetuesve, bie poshtë deklarimi i Saimir Bajramit se drogën e kishte blerë të paketuar në Fushë Krujë.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në drogën prej 305 kg te sekuestruar janë gjetur dhe gjurmë të tjera gishtash të bashkëpunëtorëve të Aurel Pupes dhe Saimir Bajramit.
Avioni i tipit "Piper" që u ul në plazhin e Divjakës në datë 10 maj drejtohej nga piloti italian Giorgio Riformato, i cili kishte rënë dakort me 36 vjeçarin Sajmir Bajrami për të transportuar lëndën narkotike në vendin fqinjë, Itali.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





