Tiranë, 27 maj 2014 – Partia Socialiste e dënon konfliktin dhe përplasjen që ndodhi ditën e sotme mes deputetëve Strazimiri, Qefalia dhe Prenga. Në një deklaratë për media deputetja e PS-së Olta Xhaçka u shpreh se opozita po përpiqet të prishë imazhin e vendit.
“Opozita tashme prej javësh ka vendosur të bëj gjithçka për të prishur imazhin e vendit, sidomos duke pasur parasysh se jemi ne fazën me delikate për marrjen e statusit të vendit kandidat. Marrja e statusit është arritje për të gjithë shqiptarët dhe sjellja e opozitës shkon kundër interesave të shqiptarëve. Opozita ka adoptuar politikën e penelopës, prish natën atë çka ka bërë ditën. Të njëjtin mesazh tentoi të përcillte sot ish kryetari i bashkisë, sot ne krye të SHQUP-it, kur shfaqjen e turpshme në parlament nxitoi t’ia faturonte maxhorancës, ndërkohë që shfaqje të tilla thjesht dhe vetëm duhen dënuar, pasi asnjë deputet që angazhohet në konflikt nuk mund të justifikohet, as kur ndodh si sot që një deputet i maxhorancës goditet i pari nga një deputet i opozitës,”– u shpreh Xhaçka.
Më tej ajo theksoi se Parlamenti është vendi i debatit dhe tolerancës. “Ne si maxhorancë e kemi treguar qasjen tonë të re duke i dhënë opozitës sot gjithçka na ka munguar ne në parlamentin e djeshëm. Duke e dënuar aktin e ndodhur sot, i bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të tregohen të përgjegjshëm dhe të respektojnë rregullat dhe etikën parlamentare,”- u shpreh Xhaçka.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





