Durrës, 27 maj 2014  – 15 persona janë shoqëruar gjatë ditës së sotme në policinë e Durrësit për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me vrasjen e 55 vjeçarit Arben Tollia, të ekzekutuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.30, pak metra larg shtëpisë së tij në komunën Xhafzotaj, Durrës. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se ka nisur thirrja e personave që e kanë denoncuar Arben Tollinë për përdhunime. 

Zbardhja e kësaj vrasjeje dhe identifikimi i autorëve të saj besohet se do të jetë e vështirë për grupin hetimor. Kjo dhe për faktin se Tollia është akuzuar nga shumë femra për përdhunim dhe mund të jetë të shumtë ata që dëshironin vdekjen e tij.

Mësohet se Tollia ishte bashkë me djalin e tij në momentin, kur është goditur nga vrasësit. Fatmirësisht djali nuk është prekur nga ndonjë plumb, kjo dhe për faktin se të dy po lëviznin me një distancë të vogël njëri nga tjetri.  Fakti pohohet nga të afërm të viktimës.

Pista e hakmarrjes është pista kryesore ku e ka përqendruar vëmendjen grupi hetimor. Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që ekzekutimi i Tollisë të ketë lidhje me ndonjë konflikt që 55 vjeçari mund të ketë pasur në burg, nga ku ishte liruar vetëm 2 javë më parë, më 11 maj.

Pritet që gjeografia e hetimeve të jetë e gjerë për shkak se femrat që kanë denoncuar se janë përdhunuar nga Tollia janë nga Durrësi, Tirana dhe Elbasani.

Pas hetimeve paraprake, ekspertët e policisë kanë dalë në përfundimin se Tollia është ekzekutuar me breshëri automatiku nga dy persona, që e kanë pritur në një automjet afër banesës së 55 vjeçarit. Për shkak të errësirës, vrasësit nuk janë identifikuar nga dëshmitarët, të cilët kanë pohuar se autorët e krimit janë larguar me shpejtësi menjëherë pas vrasjes.

Mësohet se Tollia ka humbur jetën në vendngjarje, për shkak të plumbave të shumtë që e kanë goditur në trup. Sipas policisë, autorët i kishin zënë pritë dhe e qëlluan me armë. 

Në vitin 2007, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Tollinë me 12 vite burg për përdhunim. Në gjykatë arritën të provoheshin vetëm dy raste përdhunimesh, megjithëse numri i femrave që kishin denoncuar Tollinë ishte më i lartë.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/