Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 23 maj 2014 – Nën shembullin e Rusisë, Serbia dhe Mali i zi po e shndërrojnë industrinë e armatimeve dhe tregtinë e armëve në një nga komponentët kryesorë të tregtisë së tyre të jashtme. Si Moska edhe Beogradi me Titogradin si tregje të mundshme për armët e tyre preferojnë vende jo stabël, regjime me probleme madje të rënda për sa i përket të drejtave të njeriut, deri edhe shtete të quajtura “batakçinj” (rogue States).
Si treg tipik për shitjen e armatimeve sllave po synohet Libia, ku ka fonde të stërmëdha për armatime dhe shteti është i dobët thuajse në kufijtë e mos ekzistencës. Me qëllimin e mirë për të armatosur forcat e ndryshme të sigurisë libiane, për shkak të mungesës së kontrolleve dhe bollëkut të fondeve, krijohet mundësia për fitime maksimale. Njëkohësisht krijohet një problem i mprehtë për NATO-n: në duart e kujt do të përfundojnë këto armë relativisht moderne? Në thelb kemi skemën klasike sllavët dhe individë të caktuar libianë mbushin xhepat, ndërsa telashet në formën e një destabilizimi potencial të Magrebit apo zonës së Sahelit e paguajnë amerikanët, francezët, anglezët apo dhe italianët.
Në 14 maj u kalua në veprime konkrete. Koloneli libian Amer Agena, i cili të paktën deri në janar 2014 ka qenë atashe ushtarak në Beograd pati takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi. Në bisedime u trajtua shitja e stoqeve të armatimeve, që Mali i zi i trashëgoi nga Jugosllavia titiste, blerja e produkteve të ndryshme të industrisë së armëve malazeze sidomos asaj të privatizuar (Fabrika Tara e Mojkovacit), tranzitimi i armëve serbe nëpër Mal të zi për t’u eksportuar në Libi, por dhe në vende të tjera afrikane dhe jo afrikane. U trajtua edhe përdorimi i Shqipërisë si vend tranzitimi i armatimeve, qoftë nëpërmjet aeroporteve shqiptare, qoftë nga porti i Durrësit. Theksojme se malazezët kanë bashkëpunim të suksesshëm mbi 12 vjeçar me shqiptarët për të tilla allishverishe me armatime.
Për të shpjeguar më mirë skemën e përfshirjes së Tiranës në tregtinë e armatimeve në aksin Beograd – Podgoricë do të analizojmë një foto të takimit të kol. Agenas me zyrtarët malazezë.
Perballë kol. Agenas në kostum civil është zv/ministri malazez i mbrojtjes Ivan Masulovic (ne foton poshtë). Ai është një nga personat më të kualifikuar në Podgoricë për probleme policore, ushtarake dhe të shërbimeve sekrete. Shkollimin dhe kualifikimin në këtë drejtim e ka kryer në Universitetin e Beogradit për shkencat politike si edhe për punët e brendshme. Masterin e ka kryer në Universitetin FABBUS të Novi Sadit (Noje Zac). Ka kryer kualifikime me DEA-n amerikane në Beograd në vitin 1997, në 1998 është kualifikuar në Budapest në akademinë ILEA, në Mynih të Gjermanisë u kualifikua për veprime special antiterror në vitin 2006, ndërsa në vitin 2011 në Gjenevë të Zvicrës u trajnua për luftën kundër krimit ndërkombëtar. Ai shërben si pedagog i jashtëm në Akademinë malazeze të policisë në Danillovgrad, në Fakultetin juridik në Podgoricë dhe në Fakultetin për menaxhimin e biznesit në Tivar. Është snajper i kualifikuar, ekspert i artit marcial Ju- Jutzu dhe ish sportist i shquar i Sport-klubit “ Buducnost ” të Malit të Zi.
Përballë zv/ministrit Masulovic, në të majtë është Zoran Damjanovic aktualisht drejtor i kompanisë MDI (Montenegro Defense Industries) pak a shumë ekuivalente e MEICO-s shqiptare. Damjanovici ka bashkëpunuar aktivisht me 4 ministra shqiptarë të mbrojtjes prej mbi një dyzine vitesh. Emri i tij përmendet me dhjetra herë në materialet e OPGj-ve dhe të prokurorëve shqiptarë që hetuan aferën e Gërdecit. Zoranovicit gjendet në listën e zezë të Departamentit Amerikan të shtetit si trafikant ndërkombëtar armësh. Damjanovici është pjesëtar në dhjetra afera armësh të kohës së Fatmir Mediut dhe Arben Imamit, afera këto me vende në katër kontinente (Afrikë, Azi, Europë dhe Amerikë Latine). Në këto afera përfshihet gjithçka nga fishekët te raketat kundërajrore, nga karikatorët e kallashnikovëve te raketat kundërtanke.
Përballë zv/ministrit malazez, në mes, individi me mustaqe është koloneli libian Amer Agena. Ai, deri të paktën në janar 2014, ishte atashe ushtarak i Libisë në Beograd. Tani pretendon se është biznesmen privat me adresë banimi në Beograd. Ka të dhëna jo plotësisht të konfirmuara se ka lidhje si me forcat paramilitare, që po përplasen këto ditë me “brigadat” e ndryshme islamike në Bengazi edhe me bandat e hajdutëve gjoja ordinerë si psh banda, që plaçkiti deri edhe veshjet e brendshme të oficerëve italianë, që ishin vendosur në Tripoli në kuadrin e një misioni trajnimi për ushtrinë e re libiane.
Në të majtë të kol. Agenas është Heinrich Thommet, i mirënjohur për keq në Shqipëri, si pjesëtar në dhjetra afera të allishverisheve me armët përfshirë një rol thelbësor në aferën e përgjakshme të Gërdecit dhe të trafikimit të municioneve kineze në Afganistan, afera AEY me Diverolin me shokë. Njëlloj si Damjanovici, ky individ ka mbi 12 vjet, që ka bashkëpunuar për të keq me 4-5 ministra të mbrojtjes (majtas e djathtas) të Shqipërisë. Thomet është ndër të tjera edhe aksioner në fabrikën e armëve Tara, në Mojkovac të Malit të zi. Thomet është në listat e zeza të Pentagonit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, si edhe në dosjet e DIA-s amerikane si një nga trafikantët e armëve më të shquar në rang botëror.
Pas kësaj panorama të këtyre individëve dhe lidhjeve të tyre me Shqipërinë, theksojmë se ende nuk kemi informacione nga dikasteri Kodheli nëse kjo aleancë serbo-malazeze-libiane ka rivendosur kontaktet e vjetra me Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare apo jo. E sigurtë është që ky kartel problematik ka kontakte të rregullta me vëllain e famëkeqit kontrabandist armësh sovjetik Viktor But (aktualisht në burg në SHBA), nëpërmjet një trafikanti polak armatimesh, Jirzhi Idzebski, i cili ka vepruar aktivisht në Shqipëri, kur Ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





