• Flet ish komandanti i bazës ushtarake të Shëngjinit dhe Durrësit, Robert Bali 

Durrës, 22 maj 2014 Robert Bali ka një CV mjaft të pasur si ushtarak që ka shërbyer në poste drejtuese të larta të vendit nga viti 1963 deri në fillim të viteve 2000. Komandanti i mirënjohur ka qenë prezent në shumë ngjarje dhe incidente detare, ndërkohë që pas viteve ‘90 ka qenë edhe personi që ka firmosur protokollin me palën turke në Ankara për ringritjen e kantierit të Pashalimanit në vitin 1998. Robert Bali ka sjellë në kujtesë ngjarje të jetuara nga vetë ai, në kohën që ka qenë komandant i Bazës Ushtarake Detare në Shëngjin dhe Durrës. Si ushtarak me përvojë me mbi 18 vite si komandat i bazave ushtarake detare, Robert Bali tregon midis të tjerash se në aktivitete të ndryshme, qitje ajrore, me silurë, stërvitje dhe veprime të ndryshme ushtarake, dy ngjarje kanë mbetur më shumë në kujtesën e tij: Ngjarja për shpëtimin e anijes së peshkimit ku mbeti i varë nga jugosllavët Fran Ivanaj në vitin 1975 dhe arratia e katrasiluruesit drejt Italisë në gusht të vitit 1991. Mbresa dhe kujtime të veçanta kanë edhe ngjarjet në gjysmën e  dytë të vitit 1997 dhe në vazhdim, kur kuadrot e lartë të forcave detare u deshën të përballen me një flotë të shkrirë dhe të punonin për rindërtimin e saj.

 

Si e kujtoni incidentin me anijen e peshkimit në grykëderdhjen e Bunës në dhjetor të vitit 1975?

Po, më kujtohet mjaft mirë kjo ngjarje. Ka qenë data 15 dhjetor 1975. Si fillim dua të theksoj se në strukturën organike të bazës, përveç mjeteve luftarake, ishte inkuadruar edhe grupi i minimit ku bënin pjesë pothuajse gjithë anijet e peshkimit. Ekuipazhi i tyre ishin efektiva rezervistë dhe kapiteni i njërës prej këtyre anijeve, “Islam Mustafa”, ishte pikërisht Fran Ivanaj. Anija “Islam Mustafa”, e cila kishte marrë këtë emër për shkak se një nga marinarët e kësaj anije, Islam Mustafa, në një det shumë te keq, me dallgë dhe erë të fortë, në përpjekje për shpëtimin e  anijes ra në det dhe u mbyt. Prej dy ditësh anija në fjalë peshkonte në ujërat tona territoriale, poshtë rrjedhës së Bunës, zonë e cila ligjërisht njihej si zonë peshkimi dhe ishte mjaft e pasur me peshk. Ekuipazhi i anijes kishte 7 vetë me Fran Ivanaj, kapiten të saj. Zona në fjalë shtrihej në juridiksionin e bazës së Shëngjinit, në aksin Shëngjin-Bunë-Rodon. Në mëngjesin e 15 dhjetorit, dispeçeria e peshkimit dhe operativi i bazës marrin sinjal se drejt kësaj anije po afrohej një anije luftarake jugosllave, e cila i kërkonte me ngulm anijes së peshkimit që të shkonte pas saj. Jugosllavët mendonin se anija jonë e peshkimit kishte hyrë në ujërat e tyre territoriale.

 

Ç’ndodhi më pas?

Me marrjen e këtij sinjali u dha alarm të dy anijeve të gatshme, asaj me silurë dhe tjetrës që ishte për patrullim siç janë sot anijet e Rojës Bregdetare. Sinjali më tronditës erdhi pasi morëm vesh se ekuipazhi refuzoi që të shkonte pas anijes luftarake jugosllave dhe në atë kohë ajo po qëllonte drejt tyre. Anija jugosllave kishte qëlluar me top 20 mm në drejtim të urës së komandantit ku drejtonte Fran Ivanaj. Nga goditjet e predhës Frani u godit në brinjë dhe në gjendje agonie arrin që të kthejë kursin e anijes në drejtim të ujërave tona. Komandën e anijes e mori kryemotorristi. Në këto kushte, unë dhashë urdhër për dalje të menjëhershme të dy katrave dhe paralelisht njoftova operativin në Ministrinë e Mbrojtjes. Mora drejtimin nga vendkomanda, ndërsa drejtimin e dy anijeve e mori komandanti i regjimentit të katrave Aleko Deda dhe shefi i operativit Kristaq Çito. Katrasiluruesit tanë shkuan shumë shpejt në vendin ku kishte ndodhur incidenti, për kohën ishin mjete mjaft superiore dhe të shpejta. Ato u afruan në drejtim të mjeteve jugosllave dhe anijes tonë dhe kërkojnë leje për të qëlluar. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam pasur lidhje të vazhdueshme me ministrin e Mbrojtjes, Mehmet Shehun, i cili u vu në dijeni menjëherë dhe më tha se “pa lejen time nuk do të bëhet asnjë veprim luftarak”. Në këtë kohë pala jugosllave sapo pa dy katrasiluruesit tanë ktheu kursin për në Ulqin dhe me shpejtësi maksimale doli në ujërat e Jugosllavisë. 

 

Çfarë konstatuan ekuipazhet e dy katrave kur mbërritën tek anija e peshkimit?

Sapo mbërritën tek vendi ku ishte anija u informuan për gjithçka, konfirmuan vrasjen e kapitenit Fran Ivanaj dhe morën detyrën për t’u kthyer në bazë duke shoqëruar anijen e peshkimit me flamuj të ulur në gjysmështizë. Në këtë kohë në molin e peshkimit ishin mbledhur të afërm të kapitenit të vrarë, banorë vendas, autoritete të pushtetit lokal. Gjendja ishte mjaft e tensionuar, pati edhe zëra të tillë si “ç’na duhet kjo bazë, kur nuk na mbron” etj.

 

Si e keni ndier veten në këtë moment?

E kam ndier shumë ngushtë. Shpirtërisht unë i kuptoja ata, por ngjarja nuk është se erdhi nga mosveprimi ynë. Fran Ivanaj ishte nga një familje patriotike, edhe babai i tij kishte marrë pjesë në rezistencën e 7 prillit në Shëngjin. Ata ishin nga Mali i Jushit, mbi ishullin e Shëngjinit. Qëllimi ynë pas ngjarjes ishte shpëtimi i anijes dhe shmangia e incidentit. Në rast se do të hapej zjarr, do të ndodhte një konflikt ndërshtetëror. U bënë shumë ceremoni për këtë ngjarje, ekuipazhi u dekorua, Fran Ivanaj u shpall “Hero i Popullit”. Pas incidentit, të nesërmen unë u thirra në ministri dhe me disa kuadro të tjerë shkuam në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku bëmë notën e protestës. U ngritën për ngjarjen dy delegacione, të cilat shkëmbyen takime në dy vendet përkatëse, por me argumentet tona të pakundërshtueshme, vërtetuam se anija jugosllave kreu një veprim të jashtëligjshëm në ujërat tona territoriale. Ekipi ynë negociator kryesohej nga shefi i shtabit të flotës Dashamir Ohri dhe në fund u vunë në dukje veprimet e drejta të katrasiluruesve tanë si dhe gatishmëria e mjeteve të vrojtimit dhe drejtimit.

 

Një tjetër incident ka ndodhur në gusht 1991me arratinë e një katrasiluruesi drejt Italisë. Çfarë mbani mend nga ajo ngjarje?

Po, është e vërtetë. Ishte koha kur ambasadat kishin pak më shumë se 1 vit që ishin hapur dhe kishte largime dhe shthurje kudo. Shkalla e fundit e shpërbërjes sigurisht që do të ishte edhe ushtria, ikja e ushtarëve. Kishim pasur deri në atë kohë 5-6 largime dhe unë si komandat i bazës së Durrësit kisha dhënë urdhër që të mbroheshin objektet dhe mjetet lundruese. Në hyrje të portikut të bazës detare në Bisht Pallë kishim vënë edhe një karo çeliku që komandohej nga postblloku, shërbimi ishte i dyfishuar dhe kavoja pengonte hyrjen apo daljen e anijeve që nuk komandoheshin nga brenda. Në shërbimin e regjimentit të katrasiluruesve ishte oficer roje komandanti i skuadriljes Fatmir Dedja. Komandat truproje ishte një nënoficer kryemotorrist në katrasiluruesin e gatshëm me gjithë personelin e rojës. Atë mbrëmje, kur trupa ishte duke ngrënë darkë, marinarët po shihnin TV bashkë me oficerin e rojës. Në truproje qëndronte komandanti i truprojës bashkë me komandantin e shërbimit dhe ishin 4-5 vetë gjithsej. Duke shfrytëzuar momentin, ata kishin edhe çelësin që hapte dhe mbyllte kalon, e liruan, morën anijen e gatshme dhe dolën nga porti. Menjëherë jepet sinjali dhe në këtë kohë unë shkoj në zyrë tek operativi. Dhamë alarm duke mobilizuar një gjuajtës detar dhe dy katrasilurues të tjerë, por ndërkohë ai ishte larguar në distancë të ndjeshme. Në këtë kohë shkova tek kapitaneria e portit të Durrësit dhe nëpërmjet oficerit drejtues, hymë në lidhje me kapitanerinë e portit  të Brindizit. Me anë të një oficeri që komunikonte në gjuhën angleze, i vumë në dijeni se drejt tyre po shkonte një katrasilurues, duke iu thënë që ta ndalojnë dhe ta kthejnë mbrapsht dhe se ne po e ndjekim me dy mjetet të tjera nga pas. 

 

Çfarë kishte ndodhur, përse kjo ikje e papritur?

Në fakt ishte një dezertim ushtarak. Ne e dinim që në atë kohë mund të ndodhnin gjëra të tilla dhe nuk mund të parandalohej një gjë e tillë, megjithëse ka qenë një ngjarje që ka shkaktuar mjaft stres dhe ankth tek të gjithë. Të gjitha veprimet mbaheshin nën vrojtimin e lokacioneve tona dhe me shpresë se mund ta kapnim rrugës, por nuk ia arritëm dot. Pala italiane nuk u shqetësua fillimisht, por kur edhe ata kapën me radarët e tyre mjetin që po arratisej dhe dy të tjerë që e ndiqnin nga pas, u vunë në alarm. Ata na kërkuan që mjetet tona të mos futeshin në ujërat e tyre territoriale, por ne sigurisht që nuk kishim ndërmend që ta bënim një gjë të tillë. Italianët na premtuan se do ta kthenin menjëherë mbrapsht, por me kalimin e orëve filluan “justifikimet” se kemi njoftuar prefektin për ngjarjen, po merret një vendim etj. Ne bëmë të gjitha veprimet tona duke vënë në dijeni komandën e Flotës. Anijet tona që e ndoqën u kthyen në bazë dhe më pas u bënë analiza të detajuara për ngjarjen. Prisja që të shkarkohesha, por u mjaftuan me një vërejtje për mua, i ndërgjegjshëm se mund të kishte më shumë. 

 

Ç’ndodhi me ekuipazhin e katrasilurusit dhe vetë mjetin?

Ata u mbajtën në Itali se kërkuan azil politik, ndërsa mjetin e morëm pas dy muajsh negociata në gjendje shumë te keqe. Pas tre ose katër vitesh motoristi që mori katrin dhe iku drejt Italisë, për fat të keq, pësoi aksident me vdekje duke udhëtuar me një motoçikletë. Atë ngjarje e kemi përjetuar shumë, por në fakt ishte një dezertim ushtarak.

 

Keni qenë komandant i Flotës Detare në vitin 1997, në çfarë gjendje ishte flota pas rrëmujave të marsit të atij viti?

Gjendja ka qenë shumë e keqe, flota pothuajse ishte shkrirë. Ishte shkatërruar gjithçka. Disa anije u arratisën dhe gjendeshin në Brindizi, të tjera u mbytën në Sarandë dhe Sazan, pikat sinjalo-vrojtuese ishin shkatërruar nga trafikantët dhe sistemi i fenerizimit mungonte në gjithë bregdetin tonë nga jugu në veri. Kështu shtrohej detyra që të ringjallej flota detare. Në atë kohë kam qenë edhe këshilltar i ministrit të Mbrojtjes Sabit Brokaj dhe kërkuam ndihmë nga tre shtete, Italia, Greqia dhe Turqia. Konkretisht palës greke iu kërkua që të nxirrte anijet e mbytura në Sarandë, italianëve për nxjerrjen e anijeve në Sazan, kurse turqve për ringritjen e kantierit të Pashalimanit në Vlorë. Grekët dhe italianët në këtë kohë bënë gjithë fenerizimin e bregdetit tonë me panele diellore, ndërsa turqit nisën punën për kantierin e Pashalimanit dhe Akademisë së Marinës në Vlorë. 

 

A kishte rivalitet apo ambicie nga Greqia dhe Turqia për bazën e  Pashalimanit dhe si u arrit marrëveshja me turqit?

Sigurisht që kishte rivalitet, por kjo gjë ishte pjesë e strategjisë sonë dhe kuptohet që arritja e një marrëveshje të tillë ishte shumë e rëndësishme. Dua të theksoj se para se ne të firmosnim protokollin e marrëveshjes në Ankara të Turqisë në vitin 1998, kanë qenë 13 delegacione të larta ushtarake turke që kanë vizituar vendin tonë dhe bazën në Pashaliman. Me autorizimin e qeverisë tonë, këtë protokoll e kam firmosur unë. Punimet aty janë bërë me cilësi shumë të lartë nga pala turke dhe duhet t’ju jemi mirënjohës atyre për atë punë që kanë bërë. U ngrit kantieri me pajisje, infrastrukturë, godina, rrugë, energji elektrike etj. Po kështu u punua edhe për godinën e Akademisë së Marinës në Vlorë. Edhe italianët kanë qenë shumë të interesuar. Në një moment në vendin tonë kanë ardhur shefi i Shtabit të Përgjithhëm dhe Komandanti i Flotës së Italisë. Këto ngjarje u shoqëruan edhe nga një marrëveshje Shqipëri-Itali për kthimin e të gjitha anijeve që ishin arratisur në ngjarjet e vitit 1997. Anijet u kthyen dhe u riparuan në kantieret italiane. Deri në vitin 1999 kjo punë përfundoi dhe flota jonë detare mori pamjen e duhur me mjete të mira dhe në gatishmëri.  

 

Kush është Robert Bali?

Studimet e larta i ka kryer në Leningrad (Shën Petërburg) në vitet 1958-1961. Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, kthehet në atdhe dhe studimet i vazhdon në vend deri në vitin 1963. Emërohet oficer në këtë vit dhe fillimisht ka qenë komandant kadri në Sazan. Në vitin 1965 transferohet në Durrës, ku sapo ishte krijuar baza ushtarake detare, e cila në atë kohë ishte flotilje e gjithanshme. Me ardhjen e katrasiluruesve nga Kina, u emërua komandant zveno (tresheje), ndërsa në kohën që në vend erdhën katrat e tipit të ri me krahë të nënujshëm në vitin 1977, emërohet shef i shtabit të skuadriljes. Në vitet 1978-1979 kryen kursin e lartë të marinës pranë Akademisë Detare në Vlorë. Në vitin 1979 bashkë me skuadriljen transferohet në vendbazimin e ri të Shëngjinit. Në vitet 1972-1974 shërben në grupin operativ të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Në mars 1974, me krijimin e Bazës Ushtarake Detare në Shëngjin, emërohet komandat i saj. Në vitet 1977-1979 kryen Akademinë Gjitharmëshe të Shtabit të Përgjitshhëm, në vitin 1980 kursin e lartë të filozofisë dhe në gusht 1987 emërohet komandant i bazës së Durrësit deri në qershor 1992 kur doli në reformë. Në gusht 1997 rikthehet në detyrë si komandant i Flotës Detare në Durrës dhe këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes derisa doli në pension.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/