Angli, 3 maj 2014 – Qyteza Amesbury është vetëm dy kilometra larg nga Stonehenge. Këtë javë kjo hapësirë u shpall si më e vjetra e banuar në Britaninë e Madhe. Arkeologët britanikë kanë zbuluar një sërë të dhënash në lidhje me mënyrën e jetesës të banorëve të parë të këtij vendbanimi. Studimet kanë treguar se p.sh. ata kanë ngrënë këmbët e bretkosave, para se kjo të bëhej praktikë e zakonshme në Francë. 

Titullin e vendbanimit më të vjetër në Britani deri tani e kishte Thatcham, që ndodhet 60 kilometra në lindje të Amesburyt, raporton The Telegraph. Gërmimet arkeologjike janë udhëhequr nga ekipi i Universitetit të Buckinghamit. Ata zbuluan se Amesbury kanë qenë vazhdimisht i banuar që nga viti 8820 p.e.s., e që është 1120 vjet më shumë se Thatchami. 

Ky zbulim ka rëndësi, sepse shpjegon se pse Stonehenge është ndërtuar në vendin ku ndodhet tani dhe kjo eliminon dilemat se ky rajon nuk ishte i banuar. "Kjo dëshmon se njerëzit këtu kanë qëndruar, kanë pastruar tokën dhe kanë ndërtuar dhe adhuruar monumentet”, thotë profesori David Jacques. “Për vite me radhë njerëzit janë pyetur se pse Stonehenge gjendet këtu. Ja, tani e kemi gjetur përgjigjen”. 

Origjina ka dalë në pah pas rezultateve të karbonit të aurohit, të shtazës dy herë më të madhe se demi i sotshëm. Arkeologët thonë se gjetjet e fundit sigurojnë lidhjen që mungonte në mes të ngritjes së shtyllave të pishave në vitet 8820-6590 p.e.s. dhe Stonehenget 3000 vite p.e.s. 

Rezultatet ofrojnë dëshmi që sugjeron se Stonehenge, më shumë se një ndërtim neolitik në një peizazh bosh, duhet të shihet si një përgjigje ndaj përdorimit afatgjatë të zonës nga gjahtarët indigjenë dhe ndërtuesit e shtëpive. 

Kështu, në vitin 2002, një varr i Epokës së Bronztë është quajtur Harkëtari i Amesburyt për shkak të shtizave që janë gjetur aty. Më vonë është vërtetuar se janë përdorur teknikat vendase të bujqësisë, që janë përdorur jo nga nomadët por komunitetet e vendosura në këtë zonë. 

Gërmimet që janë bërë në tetor të vitit të kaluar, po ashtu treguan se guri i punuar vjen nga periudha e mezolitit. Bill Dunn, zëdhënës i Qendrës Historik të Amesburyit thotë: “E dinim se ky vend është i veçantë, dhe kjo e vërteton këtë”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/