Nga BUJAR QESJA
Durrës, 2 maj 2014 – Emiljan Jani prej disa ditësh është larguar nga klubi shumësportesh Teuta, i caktuar me një detyrë tjetër. Në karriken e lënë bosh prej tij është ulur Kreshnik Leka. Është një emër i njohur në mjedisin sportiv durrsak dhe shumësportëshi i Teutës, njeh tashmë në krye të tij një protogonist të suksesshëm. Leka i datëlindjes 18 shtator 1977, është marrë që herët me sportin e peshëngritjes.
Karriera e tij nis që në moshën 11 vjeçare, duke u drejtuar nga trajneri i respektuar Besnik Psatha. Me krijimin e përvojës, pasurohet edhe rruga sportive i Kreshnik Lekës, duke rrokur drejtimin profesionist të mjeshtrit të sportit Fatmir Shyti. Viti 1997 shënoi një plus të ndjeshëm në ecurinë cilësore sportive të Lekës. Ai është kampion i Ballkanit për të rinj në peshën 76 kg, për të thyer rekordin kombëtar një vit më pas në stilin e shkëputjes në Selanik të Greqisë. Ky rekord që i takon kategorisë së të rriturve, e i shënuar në stilin e shkëputjes është 140 kg, që i takonn peshës 77 kg .
Arritja më e ndjeshme e Lekës, është kur u vendos në rolin e dyfishtë trajner sportist në vitin 2004 dhe ku Teuta e Durrësit u vlerësua me pozicionin e nënkampiones së vendit. Në periudhën 1997-2001, peshëngritësi pikant i Teutës Kreshnik Leka përfundoi me rezultate të larta studimet në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Tiranë, duke marrë titullin mësues i edukimit fizik dhe i profilizuar në peshëngritje.
Nga viti në vit, sekretari i ri i klubit shumësportesh Teuta pasuroi edhe cilësitë pedagogjike teorike dhe praktike, duke shënuar arritje sidomos në shkollën e mesme kombëtare sportive Bernardina Qerraxhia në Durrës. Këtu Kreshniku krahas mësimdhënies, drejtoi edhe ekipin e peshëngritjes së shkollës, por duke mos hequr dorë edhe nga angazhimet e tij në klubin shumësportesh Teuta, ku ndihmesa e tij veçanërisht në sportin e preferuar të shtangës është e madhe.
Begraundi sportiv nis që nga viti 1994 në klubin sportiv Teuta, në pozicionin e shtangistit profesionist për ta përfunduar në vitin 2007. Vlen të veçohet që në karrierën e gjatë sportive, drejtuesi i tanishëm i shumësportëshit durrsak të ketë qenë 12 vjet pjestar i ekipit përfaqësues të Shqipërisë, ndër to 10 vjet kampion dhe rekordmen duke merituar 6 medalje nderi në veprimtaritë ndërkombëtare.
Aktualisht Kreshnik Leka është trajner i ekipit përfaqësues të Shqipërisë për U-20 në peshëngritje. Njeh shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane dhe i është nënshtruar kualifikimit teknik dhe profesional nëpërmjet kurseve të trajnimit të organizuara nga KOKSH-i. Gjatë prezantimit në marrjen e detyrës së re, Kreshnik Leka premtoi se do përmirësoj imazhin e disa sporteve veçanërisht të basketbollit për femra dhe meshkuj, të atletikës, notit etj.
Shpreson të rigjallërojë volejbollin e meshkujve, i dëmtuar dukshëm pas përjashtimit për një vit nga veprimtaritë në kuadrin e FSHV-së. Gjithashtu Leka kërkon të bëj “revolucion” edhe në sportin e tij të preferuar të peshëngritjes, duke e vendosur Teutën në pozicione shumë të avancuara. 37 vjeçari Kreshnik Leka është pjesë aktive e komunitetit të sportit durrsak dhe nën drejtimin e tij priten arritje të ndjeshme në prezantimet cilësore të ekipeve të Teutës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





