Tiranë, 2 maj 2014 – Nuk ndryshon asgjë për Shqipërinë në renditjen e përgjithshme të UEFA-s ku vendi jonë mban vendin e 40 në 53 që janë gjithsej pjesë e institucionit më të lartë përfaqësues të futbollit europian. Paraqitja pozitive e Kukësit në Europa League por edhe kalimi i një turi nga Skënderbeu në Champions League, nuk i ndryshon aspak pozitat e Shqipërisë që gjithsesi ka fituar plot 2000 pikë gjatë këtij sezoni.

Në ndryshim nga 4 sezonet paraardhëse ku skuadrat shqiptare nuk kishin arritur të shkonin më shumë se 1000 pikë sezonale, këtë herë vendi jonë bën një hap të madh që gjithsesi nuk reflektohet në klasifikim ku numërojmë 5500 pikë, 500 më pak se Mali i Zi. Kjo do të thotë se në rast të një ecurie pozitive edhe gjatë sezonit të ri, Shqipëria mund të fitojë disa pozicione, pasi vende si Islanda dhe Letonia ndodhen shumë afër.

Në vendet e rajonit, pas Shqipërisë renditet vetëm Maqedonia që renditet vetëm një shkallë më poshtë me 5250 pikë. Përsa i përket dhjetëshes së parë, risia më e madhe është rrëzimi i Italisë ne vendin e pestë. Eliminimi i Juventusit nga Benfica e zbret Serie A një shkallë më poshtë, ndërsa luzitanët ngjiten në vendin e katërt.

Ky ndryshim nuk reflektohet në skuadrat që do të marrin pjesë në kupat e Europës pasi Italia do të kualifikojë sërish 3 klube në UEFA Champions League. Kreu mbahet nga Spanja, e ndjekur nga Anglia dhe Gjermania. Në klasifikimin e klubeve, kryesimin e mban Reali i Madridit, i ndjekur nga Barcelona e Bayern Muenchen ndërsa finalistja e Champions League, Atletico Madrid renditet në vendin e shtatë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/