Durrës, 2 maj 2014 – Teuta ka mundur Lushnjën me rezultatin 2-0, në një ndeshje pa shumë histori. Nga një gol për çdo pjesë dhe vetëm një karton i verdhë, ka qenë kjo tabloja e takimit ku durrsakët kanë arritur fitoren e parë në transfertë për këtë sezon. Ilir Biturku, trajneri i Teutës pohoi se do të shpresojnë deri në fund për Europë.

“Përderisa matematika na lejon, ne do të luftojmë deri në fund, pasi shpresa vdes e fundit. Kemi edhe një garë të fundit. Mirëpo, në javën e pushimit, ne do të shikojmë se si do të dalin rivalët tanë me ndeshjet që kanë. Dhe në fund do të bëjmë rezymenë e përgjithshme. Sa i përket ndeshjes me Lushnjën, unë mendoj që ishte mbi mesataren. Diferencën në fushë e bënë motivacionet. Sigurisht, që Lushnja për fat të keq ka rënë nga kategoria dhe kjo ndjehet në lojë. Na kënaqin tri pikët dhe kjo është shumë e rëndësishme. Gjendja e Teutës është premtuese për të kaluar me sukses edhe ndeshjen e fundit me Vllazninë. Edhe fitorja sot tregoi që morali është në nivele të larta. Por, të shikojmë javën e parafundit se çfarë do të ndodhë”, – thotë Biturku. 

Mesa duket verdikti final për Teutën nëse do të arrijë një vend në Evropë do të vendoset javën e fundit pasi të shtunën në javën e parafundit Teuta do të marrë tre pikë si pasojë e dënimit të Bylisit ndërkohë që pritet çfarë do të bëjë Laçi, i cili gjithsesi nuk do ta ketë të vështirë të luajë ndaj një Kastrioti tashmë të rënë një kategori më poshtë.

Kështu pritet java e fundit për të vendosur gjithçka pasi Teuta ka një ndeshje mjaft të vështirë ndaj Vllaznisë e po kështu edhe Laçin e pret një tjetër sfidë e vështirë ku do të përplaset me Skënderbeun i cili edhe pse e ka siguruar titullin do të luajë për ta mbyllur sa më mirë kampionatin për më tepër që luan në fushën e tij ku do të kërkojë ta mbyllë me fitore ndeshjen e fundit të kampionatit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/