Tiranë, 2 maj 2014 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mesditën e sotme, kur një biznesmen i dha fund jetës në banesën e tij, në rrugën “Mine Peza”, në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një apartament pranë Prokurorisë së Tiranës. Sipas policisë, biznesmeni i fushës së ndërtimit, Lulzim Saliasi, rreth të 40-ve, i dha fund jetës ndërsa ishte i vetëm në banesë.
Saliasi është gjetur nga familjarët e tij që kanë njoftuar menjëherë Urgjencën dhe Policinë. Që prej mëngjesit të sotëm, familjarët e 40-vjeçarit kishin tentuar disa herë të flisnin me të në telefon, por nuk kishin arritur të lidheshin.
Kur kanë shkuar në banesën e tij, kanë shqyer derën dhe e kanë gjetur të pajetë biznesmenin.
Ai ka lënë edhe një letër për familjarët e tij, ku mesa duket shpjegon arsyet e këtij vendimi, por ende nuk janë bërë publike detaje lidhur me letrën.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





