·        Forcimi i partisë në fshatra dhe këshilla që laboratori i Shkozetit të mësojë nga myzeqarët e Lushnjës

DURRËS, 2 maj 2014 –  Pa praninë e medieve, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti ka organizuar në Shkozet një takim me vartësit e tij në Durrës(në foto).

Meqenëse z. Panariti është dhe një nga krerët e selisë qendrore të LSI-së, nuk harron të forcojë më tej pozitat e forcës së tij politike në qarkun e rëndësishëm të Durrësit, për të pasur elektorat të konsoliduar dhe në zonat rurale, ku ka punuar gjatë fushatës elektorale për deputet.

Mësohet se para tri ditësh kreu i dikasterit të gjelbër, z. Edmond Panariti ka mbledhur personelin e drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të qarkut të Durrësit, me në krye z. Vasip Habili, përfaqësues i LSI-së në këshillin bashkiak të Durrësit. 

Në ministri thonë se një nga drejtuesit e lartë të LSI-së, z. Panariti, u ka “shtrënguar” vidat punonjësve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të cilëve u ka kërkuar të ndjekin modelin myzeqar të lushnjarëve, pasi Durrësi ka një laborator ku bëhen analiza për 70 lloje insekticidesh, pesticidesh për disa minuta.

Sipas anëtarit të kabinetit qeveritar:

“AKU-ja duhet ta kapë problemin aty ku ai lind, pa u futur në zinxhirin e shpërndarjes.

Kjo është filozofia e re – nga ferma në tavolinë – që nuk është slogan, por është që problemet të kapen dhe të parandalohen që në fermë”.

Po ashtu z. Panariti ka theksuar:

Tashmë duhet të ndryshojmë dhe të ecim drejt asaj që kërkon tregu dhe jo drejt asaj strukture që ne kemi trashëguar.

Tani është tjetër realitet dhe kjo u përket atyre tokave që janë ndarë me ligjin7501, që janë pronësi private dhe ne nuk mund t’i lemë në një zhvillim spontan, që gjeneron vetëm bujqësinë e mbijetesës, por duhet që ajo të orientohet drejt bujqësisë së tregut.

Kjo është politika bujqësore, t’i orientosh të mbjellin atë, për të cilën ka treg dhe që paguhet më shtrenjtë dhe kjo është sfidë e përbashkët e të gjithëve dhe secili duhet të jetë në pozicionin e tij”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/