Durrës, 2 maj 2014 – Një 44 vjeçar nga Kavaja, ndërsa po derdhte mbeturinat në pikën e grumbullimit të tyre në Porto Romano ka aksidentuar një 20 vjeçar nga Durrësi.

Mësohet se 44 vjeçari A.H., ndërsa po manovronte me kamionin e tij me targa TR 3652 I, në pikën e grumbullimit të mbetjeve urbane në lagjen nr.15 të Durrësit ka goditur 20 vjeçarin F.U.

Menjëherë pas kësaj, shoferi i kamionit është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që i riu është dërguar me urgjencë në spital. Sipas mjekëve, lëndimet e marra nuk ishin të rënda dhe ai është larguar për në shtëpinë e tij pas mjekimeve të rastit.

Policia, pas marrjes së njoftimit, ka nisur punën për ndalimin e shoferit të kamionit. Ky shtetas është prangosur rreth mesditës së një dite më parë në Kavajë. Ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ”Largim nga vendi i aksidentit”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/