Durrës, 2 maj 2014 – Arrestohet autori i dyshuar i vjedhjes së kryer mbrëmjen e së enjtes në supermarketin “Luli” në lagjen nr.18, në Durrës.
Autor i dyshuar i saj është shtetasi Fatmir Lukaj, 30 vjec, banues ne lagjen Nr.18 Durrës, i cili u arrestua ne flagrancë nën akuzën e vjedhjes me armë.
Ky shtetas, rreth orës 20.20, në lagjen nr 18 Durrës, i maskuar dhe nën kërcënimin e një pistolete, ka vjedhur në kasën e kësaj njësie tregëtare shumën prej rreth 20.000 lekë (të rinj) dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Këtij shtetasi iu gjet e iu sekuestrua edhe një arsenal sendesh të përdorura përgjatë grabitjesh të tilla si arma e zjarrit, kapuci, veshjet që mbante gjatë grabitjes, ndërkohë që shumën e vjedhur ky shtetas dyshohet ta ketë shpenzuar në njësitë e lojërave fati.
Puna për zbardhjen e kësaj ngjarje ka vijuar përgjatë gjithë orëve të natës, nga ana e policisë së Durrësit, ndërkohë që autori i dyshuar i grabitjes u arrestua në banesën e tij.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe përshkrimi i kasieres kanë çuar në pranga autorin e dyshuar të grabitjes me armë të ndodhur mbrëmë në qytetin e Durrësit. Ndërkohë po hetohet nëse të tjerë persona janë të përfshirë apo jo në këtë grabitje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





