LUSHNJE – Një person i kërkuar për vrasje është arrestuar sot në qytetin e Lushnjes. 32 vjeçari Besnik Meçe, banues në Gramsh, dyshohet se një vit më parë, më 28 prill 2013, vrau një biznesmen nga Shijaku. Tregtari Dashamir Çyrbja, 35 vjeç, u vra tek tregu i shumicës në Lushnje.
 
Arrestimi i Besnik Meçes u bë i mundur sot nga bashkëpunimi i policisë së Lushnjes dhe asaj të Vlorës.

NGJARJA

Konflikti me një roje private, i cili mblidhte qiranë për vendet në tregun e Lushnjës, i ka marrë jetën një tregtari fruta-perimesh nga Shijaku, pasi është qëlluar me dy plumba pas koke. Dashamir Çyrbja, 35 vjeç, nga Xhafzotaj, babai i dy fëmijëve është qëlluar për vdekje me armë zjarri teksa ndodhej pranë magazinave të tregut të fruta-perimeve të qytetit të Lushnjës. 35-vjeçari Çyrbja, ashtu si çdo ditë, ka shkuar në tregun e fruta-perimeve të qytetit të Lushnjës për të nisur punën, me të cilën mbante familjen. Kur Dashamiri ka hapur tendën ku shiste, ka mbërritur aty një prej punonjësve të firmës që ka marrë me koncesion vite më parë prej Bashkisë së Lushnjës menaxhimin e tregut dhe i ka kërkuar që të paguajë taksën ditore.

Viktima mësohet t’i ketë kërkuar që ta presë edhe disa ditë për të kryer pagesën, por kjo gjë duket se e ka inatosur agjentin tatimor, i cili ka këmbëngulur për t’i marrë paratë. Sipas tregtarëve të tjerë, ata kanë ndërhyrë dhe e kanë shuar sherrin mes Dashamirit dhe agjentit tatimor privat. Por, vetëm pak çaste më vonë kanë vërejtur kolegun e tyre tek rendte me vrap, e më pas kanë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri. 35-vjeçari Çyrbja ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital për shkak të hemorragjisë së shumtë. Çyrbja kishte më shumë se 15 vjet që vinte prej komunës Xhafzotaj në rrethin e Durrësit dhe tregtonte aty. Ai e kryente këtë rrugë përditë qëkurse ishte ndërtuar tregu i fruta-perimeve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/