Durrës, 30 prill 2014 – Një 39 vjeçar, për të cilin babai i tij kishte bërë denoncimin dy muaj më parë në polici se ishte larguar nga shtëpia është kapur në portin e Durrësit, ndërsa po tentonte të largohej për në Itali.

Mësohet se 39 vjeçari B.V. ishte larguar nga shtëpia dy muaj më parë pa i lajmëruar prindërit e tij. Për këtë arsye, babai i tij kishte bërë denoncimin në komisariatin e policisë së qytetit bregdetar dhe efektivët e rendit e kishin shpallur në kërkim këtë shtetas. Ndërsa ky i fundit është paraqitur pranë sportelit të policisë kufitare në portin e Durrësit, për t’u inbarkuar për në Itali, forcat e rendit e kanë ndaluar.

Pritet të sqarohen rrethanat që e shtynë 39 vjeçarin të largohet nga shtëpia pa njoftuar prindërit e tij për vendndodhjen e re.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/