Angli, 30 prill 2014 – Një grevë e paprecedentë në metronë e Londrës po i bën të ditur qeverisë britanike dhe miliona qytetarëve të metropolit anglez se punonjësit e hekurudhës kanë pushtet të madh.

Punonjësit e London Underground janë hedhur në një grevë, që pritet të vazhdojë deri mbrëmjen e nesërme. 450 km linja metroje dhe 200 stacione janë të paralizuar, ndërkohë që miliona qytetarë po “çmenden” nga situata e krijuar.

Radio 1 e BBC jep lajme të reja çdo 15 minuta, duke përditësuar të dhënat që vijnë përmes rrjetit social Twitter për linjat që vazhdojnë të ofrojnë shërbim hekurudhor. Greva e metrosë së Londrës po ndihet si asnjëherë tjetër në kryeqytetin e Anglisë, ku mijëra automjete nëpër rrugë kanë mbetur të bllokuara në trafik, ndërkohë që dhjetëra trena shënojnë vonesa të zgjatura.

Punonjësit e London Underground janë hedhur në grevë për të kundërshtuar vendimet për shkurtimet e pagave të tyre, si dhe për shkurtimet e vendeve të punës për biletashitësit, të cilët pritet të zëvendësohen me makineri automatike.

Mijëra pasagjerë nuk kanë mundur të marrin metronë për të mbërritur në aeroportin e Heathroë ku do të merrnin udhëtimet ndërkombëtare, kështu që merret me mend zemërimi i tyre.

Sipas Radio 1 të BBC, vetëm të enjten situata mund t’i kthehet normalitetit. Por ndërkohë javën e ardhshme janë parashikuar tre ditë të tjera grevë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/