DURRËS, 30 prill 2014 –  Devijimi i lumit të Ishmit (në kohën e monizmit) për mbushjen e gotullës, ku projektuesit nuk morën në konsideratë paralajmërimet për të pasur kujdes me mënyrën e devijimit të lumit, për të mos prekur zhvillimin natyror të bregdetit, u shoqërua me shumë pasoja negative, fakti i bujshëm e pak i njohur bëhet publik nga një gjeograf.

Shfrytëzimi tej mase i inerteve në lumin Erzen, përgjatë gjithë gjatësisë së tij, në këto 20 vitet e fundit solli si pasojë erodimin e madh të grykëderdhjes me rreth 2 200 metër, duke e pozicionuar atë për pozicionin që ka pasur në vitin 1910, thotë Shkëlqim Sirika i Shkollës Doktorale të Gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Mungesa e derdhjes së inerteve, të cilat ruanin ekuilibrat natyrorë në marrëdhëniet mes detit dhe tokës, e bëri detin agresiv.

Ky shkatërrim mjedisor e vuri zonën e ndikimit të lumit pothuajse tërësisht në kushte erozioni që mund të shuajë perspektivën turistike të zonës së Gjirit të Lalëzit.

Devijimi i lumit të Ishmit (në kohën e monizmit) për mbushjen e gotullës (gji i vogël deti; gji i rrumbullakët i formuar pranë grykës së lumit), ku projektuesit nuk morën në konsideratë paralajmërimet për të pasur kujdes me mënyrën e devijimit të lumit, për të mos prekur zhvillimin natyror të bregdetit, u shoqërua me shumë pasoja negative, deklaron gjeografi Sirika.

Tepër alarmante, deri në përmasa katastrofike përbën ndotja e ujërave të lumit të Ishmit,që transporton mbetje urbane të lëngshme dhe të ngurta të zonës më të madhe të mbetjeve në Shqipëri: qytetit të Tiranës dhe rrethit të Krujës.

Këto mbetje shkarkohen në ujërat e këtij lumi direkt të patrajtuara.

Ujërat e lumenjve Ishëm dhe Erzen janë burimi kryesor i ndotjes së mjedisit natyror të hapësirës, për shkak të mbetjeve urbane.

Aq e ndjeshme është kjo ndotje, saqë përgjatë grykëderdhjeve të tyre në det, qindra metra bregdet (dikur plazhe) janë të ndotur me lloj-lloj mbeturinash të transportuara nga këta lumenj.

Duke marrë parasysh gjendjen e lumit në kohën ku ai ishte i pastër, shikohet që niveli i ndotjes ka arritur në nivele alarmante, e cila përbën një rrezik për banorët që jetojnë aty pranë.

Bota e gjallë nuk ekziston më në këto ujëra, përveç kësaj ato (ujërat) shërbenin dhe për procesin e vaditjes, i cili përbën një problem serioz në zhvillimin e bujqësisë së kësaj zone, thotë Sirika.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/