Tiranë, 30 prill 2014 –  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takime të veçanta përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, dhe përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi. 

Gjatë këtyre takimeve, Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për atë që e cilëson si, kurs të gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare. 

Basha tha se ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë. Kryetari i opozitës tha se është shumë shqetësuese mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare. 

“Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim. Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave, është tregues i evazionit, korrupsionit dhe rritjes së informalitetit në ekonomi.”– deklaroi Basha. 

“Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë dhe qeveria po vonon informacionin në këtë drejtim të kërkuar nga opozita në rrugë parlamentare.”– vijoi më tej kreu i PD-së. 

Sipas Bashës, “arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale kanë krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim.” 

Zyra e shtypit e PD-së bëri të ditur se “kryetari Basha i njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar edhe me rënien e nivelit të pagesave nga qeveria të detyrimeve ndaj subjekteve të përfshira në investimet publike krahasuar me periudhën e qeverisjes së mëparshme, dhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së. Në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në çdo drejtim.” 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/