Tiranë, 30 prill 2014 – Ankth dhe frikë nga i dashuri futbollist dhe pse ishin ndarë sëbashku. Ai e përndiqte vazhdimisht derisa gjykata dha vendimin. “Panorama” zbardh vendimin e Gjykatës se Tiranës, e cila ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burg një ish-futbollist të ekipit të Partizanit, të shpallur fajtor për akuzën e “përndjekjes”.
Admir Arifaj, 26 vjeç, u fajësua për përndjekjen e një ish-volejbollisteje të Dinamos, me të cilën ka pasur një marrëdhënie dashurie, lidhje e pranuar nga familjet përkatëse. Sipas vendimit të gjykatës, Arifaj është kallëzuar dy herë nga ish-e dashura, e cila ka pretenduar se pas ndarjes, futbollisti ka shfaqur xhelozi të theksuar ndaj saj, duke kryer veprime që i kanë krijuar asaj ankth dhe frikë. Ajo ka pohuar së Arifaj e ka kërcënuar duke i kërkuar paratë që kishin shpenzuar së bashku. Po sipas padisë, futbollisti e kishte ndaluar disa herë në rrugë, ku edhe e ka goditur dhe ofenduar, si edhe i ka dërguar mesazhe kërcënuese në telefon.
Nga ana tjetër, i pandehuri Arifaj ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Ai ka pretenduar se e kishte ndaluar ish-të dashurën vetëm për t’i kërkuar një borxh prej 600 mijë lekësh, që sipas tij ajo i detyrohej. Vendimi në ngarkim të Arifajt është shpallur më 14 prill nga gjyqtarja Rezarta Mataj, ndërsa dje është zbardhur arsyetimi i tij.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Arifaj përfitoi uljen e një të tretës dhe u dënua përfundimisht me 10 muaj e 20 ditë burg. Sipas gjykatës, i pandehuri nuk ka shfaqur ndonjë pendesë të veçantë gjatë hetimit paraprak apo gjykimit.





