Itali, 30 prill 2014 – Zakoni i keq i rrahjes së grave nuk u shqitet kollaj meshkujve shqiptarë. Ata ndonëse mund të kenë shumë vjet në emigracion në Itali, nuk e harrojnë zanatin e vjetër të rrahjes së bashkëshorteve. Vetëm gjatë muajit prill në Itali ka pasur 7 denoncime të grave shqiptare, që rrihen nga bashkëshortët, pa llogaritur këtu edhe vrasjen e ish bashkëjetueses italiane të kryer në fund të muajit mars nga Dritan Demiraj.
Shqiptarët i rrahin gratë se vinë të pirë tapë në shtëpi, se janë xhelozë,se kanë mbetur pa punë apo edhe se kanë humbur shumë para duke luajtur bixhoz . Rasti më i fundit është ai i një 30 vjecari në zonën e Varezes, i cili e rrahu gruan për motive xhelozie.
Të hënën tre ustallarë po kryenin punime riparimi në shtëpinë e çiftit. Gruaja, në prani të burrit, sipas traditës shqiptare i qerasi ustallarët italianë me disa copa keku, që e kishte gatuar vetë. Kaq mjaftoi, që burri të bëhej xheloz dhe të fillonte sherrin. Më pas nga fjalët kaloi në vepra duke e rrahur gruan në sy të dy fëmijëve të vegjël. Gruaja 25 vjeçare, me shenja në trup dhe në fytyrë, e denoncoi bashkëshortin në polici, pastaj me makinën e policisë shkoi në spital, ku mjekët thanë, që plagët e shkaktuara nga dhuna e bashkëshortit do t’i shërohen brenda dhjetë ditëve.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





