Itali, 30 prill 2014 – Rinush Mirashi, 27 vjeç, u arrestua në flagrancë nga karabinierët në qytezën e Nogarës, afër Veronës, sepse së bashku me një tjetër shqiptar sapo kishin vjedhur një makinë Audi A5 si dhe një portofol me 155 euro në të. Shqiptari tjetër, që ngiste makinën u përpoq t’i shtypte karabinierët e postbllokut para se t’ja mbathte nga sytë këmbët. Një nga karabinierët madje qëlloi tre herë me pistoletë për të detyruar shoferin të ndalonte.

Rinushi është hajdut profesionist makinash, por fati nuk i ka ecur edhe aq, sepse disa herë është kapur nga forcat e rendit me makinat e vjedhura. Në 17 nëntor 2012 ai u kap ndërsa ngiste një makinë Audi A6 të vjedhur, në bagazhin e së cilës u gjetën mjete, që përdoren për vjedhje me thyerje. Dy “kolegët” e Rinushit në vitin 2012 ia mbathën, ndërsa Rinushi kishte ngecur në veturën e përmbysur.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/