· Kryebashkiaku i Durrësit, i ftuar në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale të Shqipërisë: Në zonën industriale përreth autostradës ka zhvillim të paqëndrueshëm
DURRËS, 29 prill 2014 – “Kontrolli i territorit tonë bëhet i domosdoshëm për një perspektivë 15-vjeçare”, ka deklaruar më 29 prill 2014 kryebashkiaku i metropolit nr. 2 të Shqipërisë Vangjush Dako. Qytetari nr. 1 mendon se nuk duhet të priten “vetëm grante nga qeveria për të zhvilluar zonat”
I ftuar për të dhënë mendime në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale të Shqipërisë, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha mes të tjerave:
“Kemi bërë takim me shoqërinë civile, me administratorë të çdo njësie dhe na thanë se ka ardhur koha për reformën territoriale, që do të rrisë shërbimet ndaj qytetarëve.
Në këtë moment, ka komuna dhe bashki që lënë për të dëshiruar në këtë pikë dhe të tjerë që i kryejnë ato.
Kontrolli i territorit tonë bëhet i domosdoshëm për një perspektivë 15-vjeçare.
Çdo njeri ka bërë një plan rregullimi që nuk është i integruar në rang qarku dhe kështu nuk funksionon.
Për shembull, në zonën industriale përreth autostradës kemi një zhvillim të paqëndrueshëm.
Ne duhet të bëjmë të mundur të realizojmë zhvillimin e qëndrueshëm dhe çdo bashki duhet të ketë hapësirat për decentralizimin fiskal, që është domosdoshmëri dhe mundësi zhvillimi.
Ne nuk duhet të presim vetëm grante nga qeveria për të zhvilluar zonat.
Gjykoj se qarku i Durrësit duhet të ketë dy bashki, Durrësin dhe Krujën”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





