Tiranë, 29 prill 2014– Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimet për emërimet e personave me precedentë penalë në detyra të ndryshme. Në një deklaratë për media, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi ka denoncuar emërimin e një personi të dënuar për ryshfet në provime, mësues në shkollën “Naim Frashëri” në Fier.
“Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë. Në gjimnazin Naim Frashëri në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion”,- tha Vorpsi.
Sipas saj, Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime.
“70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë”,- tha Vorpsi.
Sipas saj, kjo është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona.
Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi
Fjalë të bukura shumë ka Edi Rama dhe qeveria, për arsimin.
Por cfarë ndodh me shkollat tona, është krejt e kundërta.
Pasi emëroi në krye të drejtorive arsimore radhën e militantëve më të epur socialistë, pasi i detyron mësuesit të mbushin formularë me vlerësime e superlative për shefat e tyre, nën diktat e me dhunë, tani ka ardhur koha që mësimdhënësit e dënuar nga drejtësia për korrupsion, të arsimojnë fëmijët tanë.
Në gjimnazin Naim Frashëri në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion.
Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin.
Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009.
Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë.
Kjo pra është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





