Tiranë, 29 prill 2014 – Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore po zhvillohet konferenca për reformën e pensioneve. Gazeta “Panorama” shkruan sot se qeveria ka gati dy opsionet finale për reformën e pensioneve. Nga reforma e re do të preken të gjithë të punësuarit. Kjo do të thotë se nga 1 janari, kush do të mbushë moshën e punës, do të marrë një pension sipas llogaritjes së re. Edhe pse në diskutim janë dy variante, e përbashkëta e tyre është që prekin njësoj të gjithë ata që janë në prag të moshës së pensionit.
Skema e re parashikon vendosjen e një pensioni social për të gjithë ata që mbushin moshën 70-vjeçare. Por është pikërisht ky pension që do të zëvendësojë bazën e formulës së llogaritjes së përfitimit. Mbi këtë pension social do të bëhet çdo llogaritje e re e përfitimit. Do të rritet me 2 muaj në vit mosha e punës për gratë dhe do të riformatohet totalisht përfitimi për fermerët. Hiqet kufizimi tavan i pensioneve, dhe parashikohet rritja e kohës së punës.
Në finale, si çdo reformë, ka një shtresë që përfiton dhe një shtresë që penalizohet. Kush ka një të ardhur mujore rreth 50 mijë lekë në muaj e më pak, pritet të preket negativisht nga reforma e re, ndërsa ata që kanë një të ardhur mbi këtë shumë do të përfitojnë pension më të lartë. Gjithçka do të varet nga pensioni social, sa më i madh të jetë ky, aq më të mëdha janë shpresat për ata që kanë një pagë të ulët.
Si është aktualisht
Aktualisht pensioni për një të punësuar llogaritet mbi pensionin bazë. Sipas ligjit, “masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit u jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që u jepet personave të punësuar është 1% për vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75% e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës së personit të siguruar, cila të jetë më e vogël”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





