Durrës, 29 prill 2014 – Arrestohet i akuzuar për ryshfet pedagogu i universitetit ”Aleksandër Moisiu”, filiali Peshkopi. Policia e Dibrës bën me dije se 23-vjeçari Fatmir Çeka, me  detyrë pedagog i jashtëm, iu merrte studentëve të këtij universiteti shuma të konsiderueshme parash të cilat varionin deri në 15.000 lekë, në këmbim të notës kaluese.

“Nga hetimet e deritanishme, janë arritur të identifikohen dhe dokumentohen nëntë raste ku ky shtetas iu kishte marrë studentëve të këtij universiteti shumën prej 15.000 lekë të reja duke iu premtuar një notë kaluese”,– thuhet në njoftimin e policisë së Dibrës.

Sipas policisë, materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera korruptive në të cilat dyshohet se ky pedagog ishte implikuar.

Muaj më parë, 2 pedagogë dhe 2 studente të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës u arrestuan me akuzën e marrjes së ryshfetit.

Në prangat e policisë përfunduan pedagogët e Infermierisë, Odeta Tota dhe Endri Sina si dhe studentet Eralda Lika dhe Merushe Beçeri.

Gjykata e Apelit Durrës i ka lënë të lira dy studentet, ndërsa pedagogia Odeta Tota ndodhet në arrest shtëpie. Pas hekurave ndodhet vetëm pedagogu Endri Sina.

Studentët dhe pedagogët u ndaluan nga policia pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme, kanë favorizuar studentët e fakultetit të Infermierisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.

Dy studentet dyshohet që kryenin rolin e ndërmjetësve, ku u merrnin lekë studentëve për çdo provim që ata kishin, ndërsa më pas ua kalonin dy pedagogëve. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/