DURRËS, 28 prill 2014 –  Personat me aftësi të kufizuara mund të punësohen dhe të vazhdojnë njëkohësisht të marrin pagesat për shkak të aftësisë së kufizuar për një periudhë prej 24 muajsh.

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPAK), në një deklaratë për shtyp të shpërndarë më 28 prill 2014, ka përshëndetur disa ndryshime në Ligjin nr. 9355, datë 10.03.1995 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, ndryshime  të cilat, nxisin punësimin e personave me aftësi të kufizuara; ndryshime që u miratuan më 24 prill 2014 nga Kuvendi i Shqipërisë.

Përmes këtyre ndryshimeve, personat me aftësi të kufizuara mund të punësohen dhe të vazhdojnë njëkohësisht të marrin pagesat për shkak të aftësisë së kufizuar për një periudhë prej 24 muajsh.

FSHDPAK-u ka vlerësuar qeverinë, në mënyrë të veçantë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për realizimin e këtij ndryshimi, për të cilin ky fondacion ka propozuar në mënyrë të vazhdueshme në vitet e fundit.

Deklarat thotë se kjo arritje është një shembull i bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe huazimit të praktikave të mira ndërkombëtare, përmes së cilave u sigurua një zgjidhje ligjore e  qëndrueshme dhe efektive.

FSHDPAK-u, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), po zbaton programin “Fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara përmes punësimit”, i cili synon nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara bazuar në aftësitë e tyre.

Një ndër komponentët kryesorë të programit, krahas këshillimit dhe orientimit, është dhe ndërmjetësimi me subjektet punëdhënëse për të punësuar individët me aftësi të kufizuara.

Deri tani në kuadër të programit janë këshilluar 311 të rinj punëkërkues me aftësi të kufizuara, prej të cilëve 108 janë orientuar në kurse të formimit profesional dhe 71 të tjerë janë përfshirë në punësim apo vetëpunësim në tregun e hapur të punës. Janë krijuar kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për  zbatimin e ligjit “Për nxitjen e punësimit”: 149 pjesëmarrës kanë marrë pjesë në sesionet e trajnimit / informimit mbi të drejtën për punësim për PAK, mbi 230 pjesëëmarrës kanë ndjekur evente publike (konferenca, tryeza e debate) me fokus nxitjen e punesimit të njerëzve me aftësi të kufizuara, thotë FSHDPAK-u.

Info

Bashkia e Durrësit trajton 2 056 invalidë me fond 20 102 400 lekë dhe 210 kujdestarë të tyre me fond 1 920750 lekë; 539 të verbër të tyre me fond 6 764 200 lekë dhe 139 kujdestarë të tyre me fond 1 509 600 lekë; 326 paraplegjikë me fond 8 674 750 lekë dhe 324 kujdestarë të tyre me fond 3 259 500 lekë; gjithsej 42 231 200 lekë.

Po ashtu janë 3 792 invalidë pune me fond 11 133 700 lekë.

Totali i fondit për pagesën e paaftësisë dhe invalidëve të punës është 53 364 900 lekë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/