Durrës, 28 prill 2014 – Kishte shkuar për të vjedhur kabllot e energjisë elektrike, por për pak rrezikoi të humbiste jetën. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku 30 vjeçari M.K., kishte shkuar për të vjedhur kabëll elektrik në një nga kabinat e zonës. Gjatë tentativës për të këputur kabllin, ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë e ka zënë korenti, që i ka shkaktuar djegie të lëkurës. 30 vjeçari është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë për t’u mjekuar për djegie e pësuara. Ndërkohë policia ka nisur ndaj tij procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Vjedhje e mbetur në tentative”
Ndërkohë një rast i ngjashëm është regjistruar në Radiostacionin e Fllakës, por këtë herë nuk bëhej fjalë për një hajdut, por për një inxhinier të Radio Televizionit Shqiptar.
Burime policore bëjnë të ditur se 61 vjeçari B.M., banues në Tiranë, ndërsa po punonte tek aparaturat e Radiostacionit ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë ka pësuar djegie në trup. Mësohet se inxhinieri është shoqëruar me urgjencë për në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





