Durrës, 28 prill 2014 – Policia e Durrësit ka vënë pranga mbrëmjen e së dielës shtetasin David Leka, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej shtatorit të 2013, për vrasje në Itali. 

Për shkak të problemeve me drejtësinë italiane, Leka ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma dhe Tirana. 

Burime nga policia e Durrësit, pas arrestimit konfirmuan se shtetasi David Leka ishte dënuar nga Gjykata e Kaljarit me burgim të përjetshëm për akuzat e ‘Vrasjes në rrethana të rënduara’ për ‘Dhunim Kufome’ dhe për ‘Shfrytëzim prostitucioni’. Prokuroria e Kaljarit kishte lëshuar për këtë shtetas një urdhër arresti pas dënimit të dhënë ndaj tij nga gjykata italiane.

Sipas policisë, 46 vjeçari, David Leka, me origjinë nga Shkodra, strehohej prej kohësh në lagjen 1 të qytetit të Durrësit  Kapja e tij u bë e mundur  rreth orës 20.00, të së dielës nga shërbimet e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Durrës, në bashkëpunim edhe me ato të Komisariatit të Policisë Durrës.

Gjatë periudhës që ka qëndruar në Durrës ky shtetas ka përdorur një tjetër identitet me qëllim shmangien e ndjekjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/