Tiranë, 28 prill 2014 – Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha sot se nisma adriatiko-joniane është një instrument i madh për një kohë të re bashkëpunimi në rajon. Kryeministri mbajti një fjalë përshëndetëse në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, që po zhvillon punimet në Tiranë.
“Ky është viti i 100 vjetorit të luftës së parë botërore, 100 vjet më pas, ky është viti i parë që nis dhe vijon pa asnjë konflikt. Në përmasën e kësaj paqeje të re, të realizuar në emër të ëndrrës së përbashkët euriopiane, të rajonit, unë do t’i bashkangjitesha propozimit të kreut të Kuvendit, për të përfshirë edhe Prishtinën dhe Shkupin në këtë nisëm. Besoj se koha e re e paqes kërkon një kohë të re bashkëpunimi në rajon. Nisma adriatiko- joniane është një instrument i madh.”– tha Rama.
“Kjo nismë,- vijoi më tej kryeministri,- synon ta kthejë Adriatikun dhe Jonin, në një liqen të madh dhe të pasur të Europës së bashkuar, si një instrument për zgjidhje të përbashkëta për makro-rajonin”.
Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi që në këtë nismë në të ardhmen të përfshihen Prishtina dhe Shkupi. Meta tha se duhet të shemben barrierat dhe pengesat e panevojshme.
“Kjo strategji do të ishte e pamundur para 20 vitesh, pikërisht për shkak të barrierave dhe ndarjeve të së kaluarës.”-theksoi Meta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





