Spanjë, 28 prill 2014– Atletico Madrid nuk ndalet largon hijen e Realit me një fitore që vlen më shumë se gjysmën e La Ligas. Fitorja 1-0 në shtëpinë e Valencias ka një rëndësi kapitale për sezonin e djemve të Simeones që falë golit të Raul Garcias janë 6 pikë larg Los Blancos.

Nuk kishin bërë asnjë llogari të dy trajnerët që hodhën në fushë 11-shet më të mira, pavarësisht impenjimeve Europiane, në Champions për Los Colchoneros në Europa League për Valencian. E nisën më mirë të zotët e shtëpisë që fituan një epërsi të lehtë territoriale, dhe u dukën në anët e Courtois pas vetëm dy minutash me një gjuajtje të Alcacer.

E menjëhershme përgjigja e Atleticos me David Villan, autor i një goditjeje të bukur nga distanca, por dy portierët nuk patën rreziqe të mëdha deri në gjysmë ore lojë, kur Atletico nisi të diktonte ritmin e lojës. Skuadra e El Cholos u bë e rrezikshme në të 35 me një goditje të Koke, por momenti vendimtar erdhi pak minuta para pushimit, në të 43 falë një inkursioni të Raul Garcias që morri një pasim të gjatë nga Gabi, ju vodhi kohën dy qendërmbrojtësave dhe shënoi me kokë duke përfituar nga një dalje e gabuar e Guaita, është i 6-ti gol me kokë në 6 ndeshjet e fundit për Los Colchoneros.

Atletico nuk e uli vigjilencën edhe pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, përkundrazi rritën presionin në kërkim të goditjes së Knock Outit, e provoi menjëherë Gabi, (47), pa fat në një goditje nga distanca, e imitoi në të 51 Diego Kosta duke shpërdoruar në mënyrë të pabesueshme, kur ndodhej i vetëm para Guaitas.

Në gjysmë orën e fundit duheshin bërë llogaritë me reagimin e krenarisë së të zotëve të shtëpisë, Piatti dhe Feghouli 74-79 i futën drithërimat Courtois, por prapavija madrilene rezistoi ndaj tentativave të përsëritura të Valencias, që ishte në superioritet numerik në kohën shtesë për shkak të kartonin të kuq që morri Juanfran.

Gjithsesi Atletico ja doli të marrë fitoren e parë pas plot 11 vjetësh në “Mestalla” dhe populli bardhekuq ndien aromën e lavdisë. Për më tepër, në Spanjë duket se me të vërtetë nuk ka asnjë që të mund të ndalë Atleticon e Madridit deri në fund të sezonit.

Sigurisht në ndeshjen e fundit luan kundër Barcelonës në “Camp Nou” por me këtë hap për Atleticon transferta e Katalunjës do të jetë vetëm një formalitet për të ngritur në qiell një titull që dukej i pamundur për grupin e Simeones në gusht.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/