Itali, 28 prill 2014 – Gazeta më prestigjoze italiane, “Corriere della sera”, në rubrikën e saj “Europianët e rinj” ka bërë një portret të shqiptarit Edrin Gjura. Në shkrim, në mënyrë të detajuar, tregohen peripecitë e Edrinit derisa arriti të bëhej një biznesmen i suksesshëm dhe familjar i mirë në qytetin e Pistojës.
Kur ishte vetëm 15 vjeç, ai niset nga Shkodra, me pasaportë falso jugosllave dhe hyn nga Nova Goricja në Trieste për të përfunduar më pas në Pistoja.
Nuk ka para. Është thuajse fëmijë. Nuk di italisht. Nuk ka leje qëndrimi, d,m.th. gjendet ilegalisht në Itali. Ka vetëm pak të njohur shqiptarë në Pistoja dhe i duhet të mbijetojë. Punon fort, çdo punë, të zezë apo me sigurime shoqërore. Për të nuk ka pushim fundjave apo pushime vere.
Paragjykimi i shoqërisë italiane e pengon shumë. Për çdo krim, për çdo vjedhje akuza e parë e mediave, por edhe e shtetasve italianë është: E ka bërë shqiptari.
Megjithatë Gjuraj mbijeton dhe përparon. Punon druvar dhe picabërës. Martohet me një vajzë të mrekullueshme italiane dhe në fund kursimet vendos t’i investojë në hapjen e një biznesi privat, në ndërtimin e një fidanishteje.
Punon familjarisht në të dhe më së fundi këtu arrin suksesin. Nuk ka më frikë se po ngeli pa punë nuk i rinovohet leja e qëndrimit. Nuk ka frikë se do i ngelin femijët pa bukë. Nuk është më i huaj në një vend të huaj. Tashmë është qytetar europian, por një qytetar europian i ri.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





