SHBA, 28 prill 2014 – Një selfie, një status në Facebook dhe më pas përplasja finale.

Përplasja tragjike me një kamion i ka marrë jetën 32 vjeçares Courtney Sanford, në Karolinën e veriut.

Mesa duket vajza ka humbur përqendrimin në timon, ndërsa ishte e angazhuar me Facebook-un dhe nuk ka mundur të evitojë vdekjen e saj.

Fjalët e fundit që shkroi në rrjetin social ishin: «Kënga Happy më bën të lumtur». Postimi shoqërohej me një selfie ku Courtney dukej e qeshur.

Makina e 32 vjeçares ka dalë në korsinë e gabuar të rrugës dhe është përplasur me një kamion e më pas është përfshirë nga flakët.  

Ajo ka humbur jetën menjëherë, ndërkohë që shoferi i kamionit nuk ka pësuar dëme.

Sipas policisë, vajza nuk kishte konsumuar alkool apo drogë dhe po ecte me shpejtësi normale. Shkaku i vetëm i aksidentit ishte humbja e përqendrimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/