SHBA, 28 prill 2014 – Të paktën 12 njerëz kanë humbur jetën prej tornadove që goditën disa shtete në pjesën qëndrore dhe jugore të SHBA-së. Sipas autoriteteve zyrtare, 11 viktima janë shkaktuar në periferitë e rajonit Little Rock në Arkansas. Ndërkohë një tjetër person ka humbur jetën në veri-lindjen e Oklahomës.
Shumë shtëpi janë dëmtuar si pasojë e stuhive të fuqishme që goditën zonën. Kongresmeni Tim Griffin tha për agjencinë e lajmeve Reuters se një lagje e tërë me rreth 50 shtëpi është shkatërruar krejtësisht në Faulkner Country.
Aktualisht vijon puna për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave të lënduar dhe të dëmtuar. Autoritetet i tremben faktit se bilanci i viktimave mund të rritet. Në një fazë të dytë do të nisë edhe llogaritja e dëmeve të shkaktuara dhe ofrimi i ndihmës për personat që kanë humbur gjithçka.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





