27 prill 2014 – Disa sekonda para ekzekutimit të dënimit me vdekje, Samereh Alinejad vendosi ta shpëtojë jetën vrasësit të birit të saj. Në foton kryesore mund ta shihni momentin kur ajo vendosi ta heqë litarin nga koka e tij.

Abdullah Hosseinzadeh (18 vjeç) u vra më 2007, gjatë një përleshje në rrugë. Vrasësi i tij, Balal, u dënua me vdekje, ndërsa sipas ligjit të Sheriatit, trekëmbëshin nën këmbë do të duhej ta tërhiqnin prindërit e djalit të vrarë.

Por, disa ditë para ekzekutimit të dënimit, Abdullahu iu shfaq nënës në ëndërr ku i thotë se nuk ka nevojë për hakmarrje.

“Dhjetë ditë para datës së caktuar për ekzekutim, në një ëndërr pashë birin tek mu lut të mos marrë hak, por unë nuk mund të falja. Tetë ditë më vonë përsëri e pashë në ëndërr, por ai nuk donte të fliste me mua”, tha nëna iraniane për The Guardian.

Ajo shton se nuk donte të shpëtonte Balalin, deri në momentin kur kërkoi t’ia heqin lakun nga qafa. Ajo dhe familjarët e tjerë mbetën të befasuar ashtu si edhe Balali.

Nëna e Balalit, në atë moment, depërtoi nga turmat dhe e përqafoi, para se të gjunjëzohej që t’ia puthte këmbët.

“Nuk e lejova. E kapa për dore dhe e ndihmova të ngrihet. Edhe ajo është nënë si unë”,- ka thënë Samerah.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/