Itali, 27 prill 2014 – Presidenti i Interit, Erick Thohir ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të Jose Mourinhos në postin e trajnerit duke insistuar se skuadra është duke u drejtuar nga strategu i duhur, Walter Mazzarri.

Nerazzurrët janë duke kaluar një edicion dëshpërues, i pari për Thohirin në postin e kreut të klubit. Mirëpo, derisa biznesmeni nga Indonezia ka premtuar përforcime të mëtutjeshme në ekip – pas atyre që erdhën në janar – ai ka insistuar se skuadra nuk do të pësojë ndryshime në stafin teknik, për sezonin e ri.

“Gjëja më e rëndësishme tani është se kemi një trajner të mirë, e ka thënë edhe Moratti. Mazzarri është një trajner i mirë, kemi kontratë me të edhe për disa vjet andaj duam ta respektojmë. Por në të njëjtën kohë kemi nevojë për rezultate. Kam qenë në qendrën stërvitore dhe jam takuar me futbollistët, u kam thënë se duhet të jemi të përqendruar në këto ndeshjet e fundit dhe të japim maksimumin për të marrë të gjitha pikët që janë në dispozicion”. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/