Tiranë, 27 prill 2014 – Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Evangelos Meimarakis është takuar paraditen e sotme me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kreu i Parlamentit grek tha se Greqia dëshiron që vendi ynë ta marrë statusin kandidat për në BE, brenda presidencës greke. 

“Ndër objektivat e presidencës greke, është që Shqipëria të arrijë të marrë statusin kandidat brenda qershorit. Siç ndihmuam që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, me më shumë forcë e dëshirë do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të bëhet kandidate për në BE brenda presidencës sonë”,- tha kreu i Parlamentit grek. 

Meimarakis shtoi se Greqia ka treguar me vepra që e do integrimin e rajonit në BE dhe NATO, integrim që do të ndihmojë në stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit, në interes të qytetarëve. 

Nga ana e tij kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se “Shqipërinë dhe Greqinë i bashkon ura e shkëlqyer e miqësisë dhe bashkëpunimit që mishërohet nga minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ndaj ruajtja dhe kultivimi i vlerave gjuhësore dhe arsimore reciproke, ka rendësi të veçantë për dy popujt dhe vendet tona”

Kreu i parlamentit grek gjatë vizitës së tij do të takohet me personalitetet më të larta të shtetit si dhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/