Vatikan, 27 prill 2014 Dy prej udhëheqësve më të suksesshëm të papatit në shekullin XX, Gjon Pali II dhe Gjoni XXIII, u shpallën shenjtorë sot, në një ceremoni si rrallë herë në qiell të hapur, në Romë. Një meshë e bashkëorganizuar nga Papa Françesku dhe paraardhësi i tij, Benedikti XVI, u ndoq nga mbi 1 milion pelegrinë, ndërkohë që ceremonisë i ishte rezervuar një mbulim i rrallë mediatik, televiziv dhe radiofonik.

Rreth 100 janë delegacionet e huaja, përfshi këtu figurat më të larta mbretërore dhe krerët e qeverive të disa shteteve. Kjo është hera e parë që 2 Papë të së shkuarës do të kanonizohen në të njëjtën kohë.

Ceremonia nisi rreth orës 10:00. Turma ka pritur me duartrokitje daljen e procesionit nga bazilika e Shën Pjetrit, ndërkohë që duartrokitje të zjarrta shoqëruan shfaqjen në ekranet gjigande të dy papëve që u shpallën sot shenjtorë Gjon Pali II dhe Gjoni XXIII.

Disa persona kanë qëndruar zgjuar përgjatë natës, për të siguruar vendet sa më pranë të jetë e mundur me sheshin e “Shën Pjetrit”, duke shpresuar të jenë mes të parëve, kur ceremonia të hapet për publikun.
 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/