26 prill 2016 – Lamtumirë Tito!

Nuk mundi ta fitonte betejën më të rëndësishme të jetës së tij, atë kundër kancerit që e shkëputi pak nga pak prej futbollit dhe familjes. 45-vjeçarin që la në mes një karrierë dhe fëmijët e tij e qan Barcelona por jo vetëm, e gjithë Katalonja por edhe gjithë bota e futbollit që e njohu, mësoi prej tij dhe e vlerësoi për ato cilësi që ai shfaqte në fushën e lojës dhe jashtë saj.

Ai ishte zv/trajner i Barcelones e më pas me largimin e Guardiolas, shoqëria i besoi detyrën e trajnerit dhe në këtë mënyrë. Në 22 nëntor të vitit 2011 Tito u operua në gjëndrat e veshit duke hequr një masë tumorale. Ky është fillimi i një drame që fillimisht u mendua se mori fund në pranverën e vitit 2012 kur Barcelona e emëroi në postin e lënë bosh nga Guardiola. Ku qëndron sekreti i tij? Sekreti qëndron pikërisht në ekzistencën e tij, sepse ishte pikërisht ai, Tito Vilanova që i krijoi dhe i poqi idetë e tij aty, në zemrën e futbollit katalanas, në kanterën e famshme, duke njohur çdo metër katror të saj përmendësh, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner.

Në vitet '80 ai ishte pjesë e bandës "Golafres" bashkë me Guardiolan, Jordi Rouran dhe Aureli Altimiran, me të cilët ndante topat por edhe paninet e proshutat. Me Guardiolën ai ka punuar që në kohët e Barcelonës B në vitin 2007 kur thirrej “Markezi” pasi në dorë mbante përherë një xhaketë elegante, ndërsa kohë më vonë u shndërrua në një strateg.

Ndihmoi Guardiolën drejt një rruge të gjatë suksesesh dhe më pas mori vetë në dorë timonin e anijes, duke e shpallur Barcelonën kampione pas një sezoni të çmendur që kishte bërë Reali i Mourinhos. Në 11 Maj, siguria matematike që e shpalli Barcelonën kampione, ndezi edhe festën në Katalonjë ku Tito ishte padyshim aktori kryesor. Por hijet e zeza nuk u larguan asnjëherë prej tij, sepse në 18 dhjetor të vitit 2012 ai u detyrua të largohej sërish nga Barcelona për t’u kuruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jordi Roura mori drejtimin e skuadrës që i dedikoi çdo gol duke kërkuar ta nxirrte përfundimisht nga ai kalvar i gjatë vuajtjesh. Një dashuri e pafundme që rrezatoi nga një det i madh adhuruesish nuk mjaftoi që ta detyronte kancerin të bënte një hap pas sepse ai u detyrua të largohej nga familja e tij e futbollit përfundimisht në datën 19 korrik.

Një sinjal i qartë se diçka nuk po shkonte…Tito zgjodhi rrugën aq të vështirë për t’u pranuar. Një jetë e jetuar në maksimum, madje deri edhe në konfrontimin me shokun e tij më të mirë, Pep Guardiola, i cili akuzoi klubin se po e përdorte Vilanovan për ta afruar sërish në stol. Gjithsesi, pak muaj më vonë të dy bënë paqe, ndërsa sëmundja vazhdoi të avanconte duke i lënë Titos si armë të vetme në këtë luftë vetëm shpresën.

Ai nuk mund të bënte më asgjë, thjesht të ngrinte sytë nga qielli për ta kërkuar Barcelonën e tij aty lart, sepse ndoshta diku në botën hyjnore ai do të zejë vendin e tij në skuadrën hyjnore. Djali i tij nuk do ta harrojë asnjëherë shembullin e tij, duke shkuar çdo ditë në La Masian e famshme ku shpirti i Titos do të udhqejë me pasion brezat e ardhshëm.

“Tito përgjithmonë, i përjetshëm”. Barcelona i jep lamtumirën Tito Vilanovas.

Në home pagen e klubit blaugrana, shoqëria i bën një homazh të veçantë ish teknikut që ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare.

“Na la sot pasi nuk arriti të kalonte sëmundjen nga e cila vuante që prej vitit 2011”, shkruhet të faqen e Barcelonës që shton se homazhet do të bëhen në stadiumin “Camp Nou”. Ngushëllimet nuk mungojnë as nga presidenti Josep Maria Bartomeu, i cili shkruan: “Simbol human dhe sportiv i përjetshëm për Barcelonën. Faleminderit për gjithçka na ke mësuar”.  

Edhe Lionel Messi duket i prekur nga humbja e ish trajnerit të tij. Në profilin e tij në Facebook, argjentinasi postoi një foto me Vilanovan ku shkruan: “Kurrë nuk do të të harroj Tito. Do të jem përherë me ty. Gjithë dashuria ime në këto momente shkon për familjen”.

Në korin e njerëzve që bashkohen me ngushëllimet është edhe Jose Mourinho, i cili shprehet se vdekja e Vilanovas është një ditë e trishtë për futbollin, Barcelonën dhe për familjen e miqtë e tij. “Sot bota e futbollit po qan. Shpreh gjithë ngushëllimet e mija për familjen dhe miqtë”, shkruan Borja Valero, ndërsa Gareth Bale dhe Sergio Ramos nuk mungojnë me ngushëllimet në adresë të familjes dhe klubit.

Në Serie A, Milani me presidentin Silvio Berlusconi dërgojnë një mesazh ngushëllimi, ndërsa Interi dhe Parma e cilësojnë vdekjen e Titos një humbje të madhe për futbollin.

Në lumin e ngushëllimeve që po vërshojnë drejt Barcelonës, bashkohet edhe një klub shqiptar. Bëhet fjalë për Flamurtarin që në profilin zyrtar në Facebook shkruan, Tito Vilanova, u prefsh në paqe.  

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/