26 prill 2014 – Ndonëse është vetëm 23 vjeç, Jean Claude Nkusi është “babai” i 24 fëmijëve. Kjo është historia e një të riu nga Ruanda. Jean Claude i përket fisit Tutzi dhe është anëtar i organizatës së Lidhjes së Studentëve viktima të gjenocidit (AERG), “shenjë mbrojtëse” e të cilëve është aksioni për t’u ardhur në ndihmë viktimave duke krijuar “familje artificiale”. 

Kjo organizatë u themelua më 1996 nga 12 studentë të Universitetit të Ruandës, kurse tani anëtarë të saj janë mbi 43 mijë studentë dhe nxënës shkollash të mesme të këtij vendi të vogël afrikan. AERG krijon “familje artificiale” nga anëtarët e vet, në bazë të përkatësisë territoriale të fakultetit ose shkollës përkatëse. “Familja” e re e krijuar mblidhet dhe në mënyrë demokratike zgjedh nga radhët e veta “babën” dhe “nënën”. 

“Familjet” edhe pse nuk jetojnë bashkë, ndihmohen financiarisht ose në forma të tjera. Në Ruanda ka qindra nga këto “familje artificiale”. 

“Në Ruanda dikur të gjithë kishim familje të mëdha, por gjatë periudhës së gjenocidit janë vrarë shumë njerëz… prandaj po krijojmë ‘familje artificiale’ që t’i kthehemi jetës së zakonshme”-citon CNN. “Prandaj sot në Ruandë mund të gjeni njeri që është baba i 25 fëmijëve”- vijon artikulli. “Ke nevojë për dikë që do të kujdesej për ty” për të mbijetuar dhe kjo është ideja që ka krijuar kësi familjesh. 

Sipas vlerësimeve të UNICEF-it 95 mijë fëmijë kanë mbetur jetimë si pasojë e gjenocidit, ndërsa deri në vitin 2001 vlerësohet se në Ruandë kishin humbur njërin prind si pasojë e Sidës, sëmundjeve që pjesërisht u përhapën pas dhunimeve masive si “armë” në këtë luftë. 

Këta fëmijë sot kryesisht vuajnë sepse janë të varfër, shpesh pa shtëpi, me trauma dhe me status juridik të pa zgjidhur. Kevin Mugina, një 21 vjeçar, që bën pjesë në një “familje artificiale” thotë se kjo i ndihmon t’i përballojë kujtimet. 

Nkusi (Jean Cloude) është “baba” 23 vjeç i 24 fëmijëve dhe është më i ri se disa nga “fëmijët” e tij. Ai sqaron përgjegjësinë që ka: “Duhet të dish vazhdimisht se në çfarë situate janë fëmijët e tu – a kanë për të ngrënë, a mësojnë, si e kalojnë ditën. Nëse ndonjëri nga fëmijët është i sëmurë, këtë duhet ta di i pari”. “Fëmijët” e tij ia kanë vënë nofkën – Urumuri, që do të thotë “Ai që të sjell dritë”. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/