25 prill 2014 – Këngëtarja Adelina Ismajli ka kohë që jeton në Zvicër. Por në Kosovë ajo nuk ka mbaruar tërësisht punët me drejtësinë. Këngëtarja, e cila shpesh cilësohet si diva e këngës shqipe, në këtë rast është palë e dëmtuar.
Personi që dyshohet se futi atë në telashe me ligjin është Enver Sekiraqa, ndaj të cilit sot është ngritur aktakuzë. Ndër të tjera, Sekiraqa akuzohet edhe për veprën penale të zhvatjes ndaj këngëtares Adelina Ismajli.
VIPNews.info ka parë aktakuzën ku në pikën e dytë të saj, flitet për zhvatjen ndaj këngëtares Adelina Ismajli, veprim ky që është në kundërshtim me nenin 267 (1) dhe (2) të Kodit Penal të Kosovës. Aty shkruhet se kjo vepër ka ndodhur diku në fillim të vitit 2003 deri në fund të vitit 2004.
“Grupi i Sekiraqës, përmes zhvatjes, kërkonte shuma të ndryshme të parave, duke e kërcënuar atë, dhe në rast të mospagesës, sulmonin banesën dhe vandalizonin veturën e saj”, thuhet në aktakuzë.
“Për shkak të kërcënimeve, ajo i ka dorëzuar shuma të ndryshme parash Sekiraqës, nga 200 deri në 9 mijë euro. Kjo situatë ka vazhduar deri kur ajo është futur nën mbrojtjen e policit të ndjerë, Triumf Riza”.
Adelina Ismajli njihej edhe si e dashura e policit Triumf Riza, i cili u vra dhe për këtë tani akuzohet Enver Sekiraqa, i cili ndodhet në paraburgim në Dubravë.
Madje këngëtarja Ismajli i ka kushtuar edhe një këngë policit Riza me titullin “Trimit Tim”.





