Durrës, 25 prill 2014 – Bashkim Gjoni, përgjegjës i linjës 700 milimetra që furnizon qytetin e Durrësit, është ende i tronditur nga atentati ndaj automjetit të ndërmarrjes së Ujësjellësit, makinë të cilën ai e ka në përdorim.  

Bashkimi ka rrëfyer para grupit hetimor se ngjarja ka ndodhur pak kohë pasi kishte mbërritur në shtëpi nga puna. Ai kishte kryer si çdo natë manovrimin për furnizimin me ujë të qytetit dhe është kthyer në shtëpi pa vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë. Ndërsa po bëhej gati të flinte, në minutat e para të ditës së premte, ka dëgjuar breshërinë e plumbave.

E gjithë familja e tij është çuar e tronditur në këmbë, ndërkohë Bashkimi ka dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Sipas tij, të shtënat me breshëri drejt makinës së ndërmarrjes mund të kenë lidhje me punën e tij, megjithëse ai shprehet se ka shumë vite që punon në këtë profesion dhe asnjëherë nuk ka pasur konflikte me njerëz të tjerë. Ndaj automjetit tip Land Rover, me targa DR 5512 B janë shtënë plot 10 plumba nga persona ende të paidentifikuar.

Ka qenë vetë Bashkimi që ka lajmëruar policinë dhe ka dhënë sqarimet e rastit për ngjarjen. Bashkim Gjoni ka pohuar para efektivëve të rendit se nuk ka asnjë konflikt personal dhe nuk ka pasur as ndonjë përplasje për shkak të detyrës që kryen prandaj ndihet i terrorizuar së bashku me familjen e tij për atë që ndodhi.

Javët e fundit, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës ka ndërmarrë një aksion të gjerë në të gjithë qytetin për të shkëputur lidhjet e paligjshme dhe për të mbledhur debitë e prapambetura tek konsumatorët familjarë dhe bizneset. Vetëm një ditë para ngjarjes, inspektorët e ujësjellësit kanë prerë afro 30 lidhje të paligjshme, shumica e të cilave i përkasin subjekteve të ndryshme private si lavazhe, pika servisi, karburante, të ngritura përgjatë autostradës Durrës – Tiranë. Nuk dihet ende nëse ngjarja e sotme ka lidhje me këtë aksion apo jo, por policia po heton edhe mbi këtë pistë.

Deri tani janë shoqëruar në polici disa persona që kanë dhënë deklarimet e tyre për ngjarjen, por deri tani policia nuk ka asnjë person të dyshuar.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/