Ukrainë, 25 prill 2014 – Kryeministri ukrainas në detyrë Arseni Jatsenuk deklaron se Rusia dëshiron Luftën e tretë Botërore. Ai ka shtuar se përpjekjet për agresion ushtarak në territorin ukrainas nga ana e Rusisë, do të çojnë në një konflikt të armatosur në zonën europiane.
“Bota nuk e ka harruar Luftën e dytë Botërore dhe Rusia do të fillojë të tretën. E gjithë përgjegjësia për agresionin në territorin ukrainas dhe për kërcënimet ndaj qëndrueshmërisë dhe sigurisë ndërkombëtare është e Rusisë”,- ka përfunduar Jatsenuk.
Ndërkohë ushtria ukrainase është tërhequr nga lindja e vendit me frikën e një pushtimi të mundshëm rus. Tërheqja e ushtrisë ndodh pasi Moska u shpreh e detyruar për të vepruar pas një vendosjeje trupash ushtarake në kufi me Ukrainën
Kievi ka ndërprerë operacionet ushtarake me frikën e një pushtimi rus. Në krizën e nderlikuar ukrainase, ushtria vendos të tërhiqet në territorin e saj për të shmangur rrezikun që trupat ruse të kalojnë kufirin. Operacioni antiterrorizëm kundër separatistëve filorusë në Slovianjsk shkaktoi vrasjen e të paktën 5 militantëve dhe shkatërrimin e tre postblloqeve të së vetëshpallurës republikë popullore e Donjetskut.
Para përshkallëzimit ushtarak dhe ngecjes diplomatike, trupat ushtarake të NATO-s po përforcohen në Poloni dhe në vendet baltike. Pentagoni ka konfirmuar dërgimin e 600 ushtarëve të tjerë dhe 22 avionëve ushtarakë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





