Durrës, 25 prill 2014 – Në orët e para të ditës së sotme është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një prej automjeteve në përdorim të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03.15 të datës 25 prill në Sukth.
Mësohet se makina tip Land Rover, me targa DR 5512 B, që përdorej nga përgjegjësi i linjës 700 mm, B.Gjoni është qëlluar pak pasi ky shtetas kishte kryer manovrimin për furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit. Gjoni punon si përgjegjës pranë kësaj ndërmarrjeje dhe ka për detyrë manovrimin e përnatshëm të rrjetit për furnizimin me ujë të qytetit bregdetar.
Makina është goditur nga 10 plumba ndërsa ndodhej në shtëpinë e përgjegjësit të ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, në lagjen "Kodër", Sukth.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur viktima në njerëz. Policia që është njoftuar menjëherë për ngjarjen është duke kryer veprimet e para hetimor dhe po heton mbi ngjarjen. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për ndonjë konflikt për shkak të detyrës apo ndonjë konflikt personal që shtetasi Gjoni mund të ketë me persona të tjerë.
Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale ”Prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve luftarake”, “Prishje e qetësisë publike”, ”Shkatërrim i pronës me mjete të tjera”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





